Mbetet e nxehtë pista e Brojës te Milani. Pas refuzimit formal të Çelsit ditën e hënë, situata ka ndryshuar dje. Londinezët e kanë lënë një mundësi të hapur, duke zbutur termat nga “refuzim” në “pritje”. Lajmin e bëjnë të ditur mediat më në zë në Itali dhe po negociohet për një transferim me të drejtë blerjeje nga klubi kuqezi.

Vitet e fundit kanë treguar se bashkëpunimi mes dy klubeve ka qenë i shkëlqyer, sepse mjafton të përmendësh rastet e transferimit nga Çelsi te kuqezinjtë të lojtarëve si Zhiru, Tomori dhe Loftus-Çik për të kuptuar se drejtuesit e tyre gjithnjë e kanë gjetur gjuhën në fund.

Po Broja? Dëmtimi i rëndë që pësoi në dhjetor të vitit të kaluar e ka penalizuar tej mase jo vetëm te Çelsi, por edhe tek ofertat që ka pasur. E megjithatë, nëse bën një analizë të thjeshtë të fakteve, transferimi i tij te “djalli” do të ishte me leverdi edhe për vetë yllin e Kombëtares shqiptare. Le t’i analizojmë gjërat me radhë:

1) Milani është i gatshëm ta presë Brojën që të rikuperohet plotësisht, çka do të thotë që kuqezinjtë mund të bëjnë durim edhe për shtatorin derisa sulmuesi 21- vjeçar të jetë gati. Rikthimi i tij në fushë pa u sforcuar është llogaritur në tetor. Milani deri atëherë mund t’ia dalë fare mirë me Zhirunë dhe Okaforin (edhe Origi në rast se nuk ikën).

2) Pritja në kohë që mund t’i rezervojë Milani do ta ndihmojë lojtarin që të mos sforcohet dhe të luajë para kohe, duke shmangur ndonjë tjetër dëmtim të padëshiruar.

3) Zhiru, Tomori dhe Loftus-Çik, të tre të ardhur nga Çelsi, mund ta ndihmojnë të përshtatet më shpejt.

4) Nëse transferohet aty, Broja do të jetë zëvendësi i Zhirusë dhe me gjasë do të ketë fillimisht nga pak minuta në dispozicion, çka do ta ndihmojë të rikuperojë me qetësinë e duhur formën e dikurshme pa pasur presionin e golave apo të qenit i vetmi sulmues në dispozicion.

5) Me gjithë respektin, por Seria A nuk ka ritmin e Premier Ligës dhe rreziku që të sforcohet tej mase për të qenë në ritmin e futbollit anglez shmanget, rrjedhimisht, edhe ndonjë dëmtim apo përkeqësim i situatës me gjurin.

6) Broja do të zëvendësojë Zhirunë dhe pavarësisht se bomberi ynë është ambicioz (e ka treguar këtë me personalitetin e tij), mund të mjaftohej edhe me një sezon mbi mesataren, pa iu dashur të jetë protagonist absolut. Pse? Sepse nëse ai përshtatet dhe arrin të bindë drejtuesit e Milanit, atëherë mund të jetë bomberi kryesor i Milanit për vitet e ardhshme. Duke parë moshën e Zhirusë, Milani do t’i bënte një vend titullari me shumë dëshirë në të ardhmen nëse shqiptari ia del të përshtatet.

7) Zhiru është një bomber i klasit botëror, por edhe Broja i ka “armët” e tij. Nëse Zhiru është një “snajper” në zonë dhe i shkëlqyer me kokë, Broja, përveçse një sulmues zone, ka aftësinë që ta marrë topin më në thellësi dhe të kërcënojë portën nga distanca.

8) Të gjithë duan Premier Ligën derisa vijnë në tryezë milionat e arabëve… Por nëse Broja përshtatet te Milani dhe rikthehet ai para dëmtimit, ofertat nuk do t’i mungonin sërish nga kampionati britanik, madje nëse aventura te gjigantët e Milanit do të shkonte sipas planeve, ai mund të rikthehej sërish te Çelsi me kostumin e një pretendenti për titullar. Cilësitë dhe mosha ia mundësojnë këtë.

9) Te Çelsi nuk i ka munguar dashuria për tifozët, por te Milani atmosfera rreth tij do të elektrizohej dyfish. Kuqezinjtë janë një klub shumë i dashur në Shqipëri së bashku me Juven dhe Interin. Nëse ka dyshime për këtë le të pyesë Asllanin se çfarë ndjesie është…

10) Paratë. Nëse Broja do të huazohej në Itali, Milani jo vetëm që do ta kënaqte financiarisht, por edhe kushtet e marketingut do të ndryshonin. Jo vetëm sepse është një klub i madh, por sepse këtë sezon kuqezinjtë janë në Champions, ndërsa Çelsi jo.