Vllaznia ka vijuar dje përgatitjet për takimin e së dielës ndaj Luftëtarit, por kuqeblutë vijnë me mungesa të rëndësishme në këtë takim, pasi tre futbollistë duken të pamundur. Përveç dy lojtarëve të dëmtuar, mesfushorit Ardit Krymi dhe Filip Gligorov, trajneri Mirsad Jonuz nuk do të ketë për këtë sfidë edhe mesfushorin tjetër, shkodranin Behar Ramadani.

Ai është ndëshkuar me kartonin e kuq në përballjen me Teutën dhe kësisoj do të humbasë duelin me ekipin gjirokastrit, ku ka kontribuar për gjashtë sezone radhazi. Ardit Krymi tani është kthyer në një çështje te Vllaznia. Mesfushori i qendrës vijon të jetë dëmtuar dhe referuar situatës, mungesa e tij peshon shumë këtë fundjavë. Me Krymin të dëmtuar dhe me Behar Ramadanin të pezulluar nga kartonët, Vllaznia humbet “muskujt” në qendër të mesfushës për Luftëtarin.

Pra, shkodranët kanë një problem të madh për këtë takim, pasi u mungojnë dy mesfushorët shkatërrues, pikërisht barriera e para mbrojtjes. Të gjendur në këtë situatë, stafi teknik po kërkon mundësi të tjera për të gjetur lojtarin më të përshtatshëm për këtë pozicion. Përveç dyshes shkatërruese, edhe mbrojtësi i majtë Filip Gligorov nuk do të jetë i gatshëm për Luftëtarin.

LËVIZJET

Një nga problemet që pret të marrë zgjidhje është pikërisht se kush do të jetë lojtari që do të vendoset para mbrojtjes, pikërisht në vendin e lënë bosh nga dyshja Krymi-Ramadani. Tekniku Jonuz do të këtë dy ditë në dispoziocion për të vendosur për një gjë të tillë, ndërsa alternativat nuk mungojnë. Arsid Kruja mund të jetë një nga më të mundshmit për të qenë në këtë pozicion.

Lojtari gëzon formë të mirë fizike dhe mund të përshtatet me pozicionin e ri. Alternativë mbetet edhe Herald Marku. Ai u aktivizua në takimin me Teutën në krahun e majtë të mbrojtjes, duke zhvilluar një ndeshje të mirë. Me Gligorovin ende jashtë forme, gjasat janë që Marku të preferohet më shumë në të majtë të mbrojtjes edhe për Luftëtarin. Por, nuk përjashtohet mundësia që tekniku të shikoj edhe mundësi të tjera, që mund të jetë një aktivizim edhe i Ristevskit në këtë pozicion.

FORMACIONI

Nisur nga situata aktuale dhe ajo çfarë lojtarët kanë dhënë në takimet e fundit, me shumë gjasa trajneri Jonuz do të ndryshoj shumë pak nga formacioni që luajti në Durrës ndaj Teutës.

Alen Sherri pritet në portë, më pas pritet katërshja e mbrojtjes e përbërë nga Gurishta në të djathtë, Marku në të majtë, ndërsa Shehi dhe Malota në qendër. Në mesin e fushës, me shumë gjasa pritet që të jenë Kruja, Hygor e Emerson. Ndërsa në sulm priten që të jenë Lika, Zogaj e Shtubina. Gjithsesi duhet pritur deri të shtunën që tekniku Jonuz do të vendosë për 11-shin që do të hedhë në fushë për të kërkuar një tjetër fitore pas asaj të arritur në javën e parë ndaj Laçit