Jo gjithçka ka shkuar në qetë si të plotë te Dinamo në për gatitjet verore të Pogradecit. Ditët e fundit ka pasur edhe “xixa” në skuadrën e drejtuar nga trajneri Nevil Dede.

“Panorama Sport” mëson se ka pasur një përplasje mes portierit Edvan Bakaj dhe sulmuesit të ri, Arb Shala. Ishte një moment nervozizmi mes të dyve dhe situata ka dalë pak jashtë kontrollit, por më pas “gjakrat” janë qetësuar. Ishte një incident i konsideruar si një nga ata klasikët e nervave të lojës, që ndodhin zakonisht gjatë fazave përgatitore. Megjithatë, klubi nuk e ka kaluar në heshtje.

Drejtuesit morën masë disiplinore për rastin dhevendosën që Arb Shalën ta çojnë të stërvitet me ekipin U-19. Një dënim ky edhe për të dhënë mesazhin për gjithë skuadrën se disiplina është parësore.

Mbetet të shihet se sa do të zgjasë dënimi për sulmuesin 17-vjeçar, që trajneri Dede e ka aktivizuar në miqësoret e kësaj vere. Ai shihet si një element me vlera, që do t’i shërbejë Dinamos në të ardhmen. Portieri Edvan Bakaj ndërkohë mungoi në miqësoren e fundit me Vllazninë, pasi ka pasur edhe një dëmtim.