Sulejman Starova mendon se fitorja në derbi avantazhon Partizanin në luftën për titullin kampion. Tekniku i njohur, duke folur për “Sport Plus” në “News 24”, ka shpjeguar se si kampionati shqiptar tani sheh të kuqtë më të favorizuar për fitoren, pasi mendon se ata nuk do të kenë më oshilacionet që kishin shfaqur deri tani.

“Ishte fitore e merituar e Partizanit, e rëndësishme edhe për faktin që u përgatit një derbi në një situatë jo normale pas humbjes me Vllazninë. Situata që u krijua në klub, trajneri arrit deri aty sa paraqiti dorëheqjen. Ka qenë një kampionat me oshilacione, që shpjegohet sipas meje me faktin që është një moshë relativisht e re dhe e ka të vështirë që të përballojë këtë presion. Në këto kushte të vështira, këta futbollistë të rinj morën një fitore të rëndësishme dhe plotësisht të merituar.

Padyshim që derbi i ndryshon gjërat. Tani Partizani i ka numrat, se fitoi duke dominuar se ishte skuadër agresive e kompakte, e vendosur mirë në fushë me ide të qarta për të fituar ndeshjen nga diferenca që kishte. Që të fitosh derbin, e gjithë skuadra duhet të japë maksimumin dhe te Partizani e dhanë të gjithë, duke veçuar mbi të tjerët ndonjë Hadroj, Matondo, por sigurisht edhe ndonjë Mba, i cili është shumë i mirë për Partizanin.

Ndërsa Tirana çaloi me gabime të shumta në repartin difensiv. gati amatoreske. Shfaqi vështirësi në sulm, ishte e pafuqishme me Patrik dhe Hasanin, sepse edhe mesfusha nuk ishte e zonja. Mungesa e një sulmuesi shtatlartë e kondicionon të luajë me topin poshtë. E shoh që duke bërë një analizë, 6 ndeshje dhe 4 humbje, tregon që diçka është serioze te Tirana. Partizani ka marrë shtysë dhe nuk besoj se do të ketë më oshilacione, kjo i ka dhënë një shtysë të mirë.

Qëndrimi i Kolelës? Jemi mësuar nga e kaluara ku Partizani nuk ka duruar shumë oshilacionet dhe e kanë pësuar shumë trajnerë. Është gjë e mirë kur je i durueshëm. Për momentin kanë vepruar mirë të gjithë që i besuan Kolelës dhe u shpërblyen. Kolela ka pasur vështirësitë e veta, ka punuar mirë. Çdo njeri gabion. Herë pas herë gabon ndonjëri, kështu është ndërtuar edhe aktiviteti. Por fakti që Partizani shumë herë ka udhëhequr kampionatin dhe është aty me një skuadër të re për të fituar titullin, një meritë ka edhe Kolela, me gjithë problemet që mund të ketë.

Por rezultatet tregojnë që është aty që në fillim për kampionatin. Eksperienca te Partizani nuk është se kanë punuar keq trajnerët italianë. Kanë qenë arsyet e ndryshme pastaj nga Sormani, Agostineli, konkurrenca ka qenë e madhe. Partizani dhe të gjithë ekipet nuk kanë shumë durim në lidhje me performancën e trajnerit, por mendoj se rezultatet kanë qenë të mira përsëri me trajnerët italianë.

Tiranën e shoh në vështirësi, deri në lëvizjet e fundit me lojtarë si Kallaku. Një ekip për titull kampion, duhet të ketë të gjithë mënyrat e lojës. Performancat jo të mira të shumë lojtarëve mua më bëjnë pesimist, e shoh shumë të vështirë. Sigurisht, nuk është e pamundur, ata e dinë më mirë, punojnë për këtë gjë. Nuk është se e përjashtoj nga kandidatët për kampionatin, por e shoh të vështirë”, tha ndër të tjera Starova.