Tek Liteksi vihen në alarm për dëmtimin e mesfushorit shkodran Armando Vajushi. Ai mësohet se ka pësuar një dëmtim në gju, pa qenë fare në kontakt me ndonjë koleg të skuadrës. Vajushi thekson se sot do bëjë rezonancën dhe do mësohet shkalla e dëmtimit, por saktëson se me shumë gjasa nuk do jetë në dispozicion të trajnerit Hristo Stoiçkov për shtatë ndeshjet e fundit të sezonit në kampionatin bullgar. Sulmuesi është në qendër të merkatos së Liteksit, ndaj një dëmtim në këto momente mund t’i komplikojë edhe të ardhmen, paçka se vetë ai pohon të kundërtën. “Dje krejt papritur, gjatë stërvitjes ndjeva një dhimbje në gju dhe u detyrova që ta lë përgjysmë seancën. Nuk e mora vesh fare se si dhe nga më erdhi, thjesht ndjeva si një përdredhje dhe nuk arrija dot që të vazhdoja rregullisht stërvitjen. E kam lënë të bëj një rezonancë ditën e nesërme (sot) dhe aty do merret vesh saktësisht se ku qëndron problemi. Presidenti kishte marrë në telefon menjëherë mjekun dhe i kishte kërkuar të dinte se ku ishte problemi i dëmtimit tim. Ai i kishte thënë që të më vihej gjithçka në dispozicion. Sigurisht që janë alarmuar, pasi unë po zhvilloja një kampionat të mirë dhe jemi në një moment delikat, ku nevojitej kontributi i gjithsecilit.Drejtuesve u ka shkuar mendja menjëherë te menisku, por ende nuk dihet. Të presim deri sot dhe uroj që të mos jetë dëmtim problematik”-ka thënë Vajushi.