Skuadra shkodrane në basketboll për meshkuj është mundur edhe në ndeshjen e dytë të finaleve të play off-it, atë të luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. I mbushur plot e përplot ky impiant sportiv, sërish tifozët e shumtë shkodranë nuk arritën t’i japin mbështetjen e duhur basketbollistëve në fushë dhe për rrjedhojë ishte Kamza Basket ajo që në fund fitoi 76-70 ndaj Vllaznisë. Me fitoren e sotme, rezultati ka shkuar në 2-0 për kryeqytetasit të cilët nëse fitojnë edhe takimin e tretë të martën në Kamëz, do jenë kampionë të vendit pa patur nevojë të luajnë ndeshjen e katërt dhe të pestë. Takimi i sotëm nuk ka nisur mirë për Vllazninë. Edhe në këtë ndeshje vërehen sërish të njëjtat gabime si në ndeshjet e fundit, mosmarkimi i duhur i kundërshtarit në zonë dhe pasaktësi në gjuajtje. Perioda e parë mbyllet 26-19 në favor të Kamza Basket. Në të dytën është sërish e njëjta lojë dhe ajo do mbyllej 12-11 për Vllazninë. Skuadrat kësisoj shkojnë në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 6 pikësh në favor të miqve. Në periodën e tretë jepen shpresat e një përmbysje. Vllaznia arrin të shënojë 11 pikë rresht përballë vetëm 4 të miqve dhe rezultati kalon në 42-41 për të por vetëm për 2 sekonda. Ky do ishte momenti i vetëm i kësaj ndeshje kur shkodranët do kalonin në avantazh. Ata kthehen sërish tek gabimet e tyre dhe Kamza Basket kontrollon lojën. Në dy sekondat e fundit të periodës së tretë ndodh një incident. Një vendim i gjyqtarit për një personal në dëm të njërit prej lojtarëve të Kamzës, sjell një reagim të ashpër të trajnerit Adem Muhametaj që edhe me gjeste të ndryshme provokon më pas tifozët shkodranë. Këta të fundit reagojnë dhe hedhin disa shishe uji në fushë. Muhametaj e shfrytëzon këtë moment për ta dërguar ekipin e tij në dhomat e zhveshjes. Me ndërhyrjen e shefit të klubit Vllaznia Mark Kroqi por edhe të trajnerit të boksit Zef Gjoni, kamzalinjtë binden për t’u kthyer në fushë. Perioda e tretë mbyllet 21-20 në favor të Vllaznisë megjithatë është Kamza Basket që e ruan një epërsi prej 5 pikësh edhe në fund të saj. Në periodën e katërt pritet kthesa përfundimtare e Vllaznisë por nuk ndodh kështu. Gjokoviç lojtari më i mirë i saj, ngarkohet me personalin e katërt që në fillim dhe Gjeçaj e ul në stol. Loja bie disi dhe miqtë e kontrollojnë avantazhin derisa në fund vendoset rezultati përfundimtar 70-76 në favor të Kamza Basket. Pikashënuesit e Vllaznisë në këtë ndeshje kanë qenë:
Nikolla Gjokoviç     18 pikë
Ervin Berdica         13 pikë
Nikolla Jeftiç          13 pikë
Bogoljub Devrnja   13 pikë
Zharko Dragiçeviç    9 pikë
Robert Shestani      2 pikë
Damjan Bekteshi     2 pikë

Me humbjen e sotme janë zbehur shumë shanset për të dalë kampion për Vllazninë megjithatë ajo nuk duhet të heqë dorë për të kërkuar fitoren në takimin e tretë, atë që do të zhvillohet ditën e martë në Kamëz.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)