Ndeshja e kësaj fundjave rezervon një dozë vështirësie të madhe për Vllazninë. Kjo pasi kuqeblutë do jenë në transfertë kundër Tiranës, takim që sipas kalendarit do luhej në Shkodër. Por për shkak të punimeve në fushë që po bëhen në “Loro Boriçi” është gjetu gjuha e përbashkët mes dy ekipeve që dueli të zhvillohet në kryeqytet. Me atë të fazës tjetër që do luhet në Shkodër.

“Klasikja” i gjen të dy skuadrat në humorin e duhur pas fitoreve kundër Kukësit (Vllaznia) dhe Egnatias (Tirana). E po ashtu forma që po gëzojnë në rezultate në javët e fundit duket thuajse identike për dy ekipet më të vjetra në vend. Duele priten të forta në çdo repart, por në fushë besohet se gjithçka do vendoset nga mesfusha.

Emra si: Boshnjaku, Alivoda, Marku apo edhe Jonuzi do jenë përballë emrave të tjerë të njohur të kampionatit si: Aleksi, Kallaku, Deliu dhe Limaj. Plot eksperiencë, klas dhe forcë në mesfushat e të dy ekipeve. Ndoshta në aspektin e golave dhe zgjidhjeve të ndeshjeve, mesfusha shkodrane qëndron më lart, por duke mos nënvlerësuar asnjëherë edhe bardheblutë.

Të cilët si shënues kanë më të mirin e kampionatit, Xhixhen që deri më tani ka shënuar 10 gola. Patjetër laçiani do jetë një “klient” i vështirë për Gurishten & CO, prandaj duhen marrë masat e duhura për ta ndaluar. Patjetër derbi i Shqipërisë garanton spektakël gjithmonë, por kur ka duele edhe “kokë më kokë” në fushë, bukuria shtohet akoma më tepër.
Endri ÇINARI