Dinamo ka regjistruar sot humbjen e dytë në kampionat dhe trajneri Luxihi DI Biaxho, është i ndërgjegjshëm që nga blutë priten edhe rezultate përveç lojës argëtuese.
“Pikët janë gjëja më e rëndësishme. Le të themi që kemi luajtur një pjesë të parë të mirë, ku meritonim avantazhin për atë që u pa në fushë. Në pjesën e dytë humbëm pak distancën, nuk luajtëm një futboll të mirë. Por gjithsesi kishim 3-4 raste të bujshme ndaj nuk mund të jem i kënaqur. Djeg shumë, sidomos për atë që u pa në fushë.
Ne duhet të menaxhojmë më mirë situatat, kur jemi në vështirësi. Pastaj erdhën dëmtimet e dy qendërmbrojtësve dhe komplikohen gjërat. Kjo skuadër dihet se sa kohë ka që ka lindur, po rritemi shumë, por duhen marrë pikët. Megjithatë, jam i mrekulluar se si luajnë djemtë. Të gjithë kanë parë si humbëm me Tiranën. Sot, edhe me një pjesë të dytë jo shumë të bukur, ndoshta meritonim diçka më shumë.
Sot ishte ndeshje ndryshe, për karakteristika Skënderbeu e Tirana janë ndryshe. E interpretuam mirë, gjuajtëm shumë në portë e nuk shënuam gol, e vështirë të shpjegosh këtë ndeshje se e përsërit që në pjesën e parë bëmë atë që kërkoja. Në të dytën luajmë më pak rrjedhshëm e me shpejtësi, mund të luhej më mirë. Por edhe nëse analizojmë rastet e kësaj pjese, ka pasur 3-4 të pastra para portës. Rezultati siç e dimë të gjithë, ndikon gjithçka. Por nëse dikush sheh këto dy ndeshje dhe i thonë që jemi me 0 pikë, nuk e beson.
Unë u mundova të hapja krahët për të shkuar pas mesfushorëve e sulmuesve të tyre me lojtarët e mbrojtjes. Djemtë në pjesën parë ia dolën dhe u argëtuan, por duhet të jemi më agresivë në 30 metrat e fundit. Në këto ndeshje, edhe kur je më mirë, nuk mjafton. Kjo zgjedhje ishte për Skënderbeun, por edhe për atë që bëjmë ne, që duhet të imponojmë lojën tonë. Ne ia dolëm mirë në dy ndeshje, jo në pjesën e dytë të sotme. Por edhe në këtë pjesë meritonim ndoshta barazimin.
Rastet e humbura? Ishte e vështirë të shënonim se me sa duket nuk mjaftojnë 20 raste për të shënuar. Ndoshta duhet të bëjmë më pak e të jemi më konkret. Kjo nuk është akuzë ndaj djemve, i kam të mrekullueshëm. Do të doja t’i përqafoja një nga një për atë që bëjnë në stërvitje dhe në fushë. Por nuk mjafton se duhet goli, ndoshta do të ketë ndeshje ku të bëjmë më pak raste dhe shënojmë gola.
Jam shumë i lumtur nga titullarët se ndoqën fjalë për fjalë çfarë kemi punuar. Por kur në pjesën e parë dominuese përfundon 0-0 dhe duhet të jesh i vëmendshëm se ndeshjet ndryshojnë dhe kjo ndodhi sot. Nëse duhet të heqësh mbrojtësit dhe fut të rinj që bënë mirë, por nuk kanë luajtur kurrë bashkë, bëhet e komplikuar. Ishin zgjedhje të detyruara , Andoni luajti për herë të të parë 90 minuta, kisha frikë se nuk ia dilte. Unë jam i lumtur, por nga tifozët, klubi, është natyrale që nuk mund të jesh i lumtur se pritshmëria ishte tjetër. Jemi në ndeshjen e dytë, por duhet ndryshuar marsh”, tha Di Biaxho për “MCN” pas ndeshjes.