Sekretari i klubit Vllaznia, Blendj Dibra ishte mbrëmë i ftuar në Star Sport. Drejtuesi i Vllaznisë foli për suksesin e fundit të kuqebluve dhe për objektivat e klubit tashmë këtë sezon, ku nuk humbet optimizmin edhe për titullin kampion.

Dibra u shpreh duke thënë: “Fitorja kundër Teutës ishte një sukses që ne e prisnim prej disa kohësh. Skuadra reagoi mirë pas humbjes me Laçin ku edhe atje zhvilloi një ndeshje pozitive, por nuk mori rezultat. Tashmë uroj që ky sukses të pasohet nga të tjerë dhe të krijohet një vazhdimësi që nga ndeshja kundër Partizanit.

Besoj se disa detaje kanë ndikuar në bilancet sportive të skuadrës këtë edicion. Këtu përmend një karton të kuq të Aralicas kundër Teutës, kartonin e Adilit kundër Skënderbeut, pakujdesinë e Da Silvas me Laçin. Këto janë episode që ndoshta na kanë penalizuar herë pas here.

Aktivizimi i të rinjve ? Ne si klub e kemi politikë promovimin e të rinjve. Patjetër që e duam këtë, por në fund është trajneri ai që vendos nëse duhen aktivizuar apo jo. Ai ka të drejtën e plotë për këtë gjë. Por gjithashtu po punojmë edhe për zhvillimin e një kompleksi futbolli, që do i shërbente shumë infrastrukturës së Vllaznisë.

Parashikimi për ndeshjen kundër Partizanit ? Dëshiroj fitore patjetër, por di të them që gjithë rezultatet janë në lojë pasi edhe kryeqytetasit po kalojnë një moment të mirë forme”.
Endri ÇINARI