Vllaznia do të luajë ditën e nesërme një ndeshje delikate ndaj Partizanit. Shkodranët udhëtojnë drejt Elbasanit ku do të përballen me të kuqtë dhe do të kërkojnë të ruajnë distancën prej 9 pikësh që kanë me ndjekësit.

Ditën e sotme në konferencën për shtyp përkrah trajneri Brdariç ishte dhe Haris Dilaver. Sulmuesi nuk shënon gol prej disa ndeshjes, por ka theksuar se për të e rëndësishme është të fitojë skuadra dhe jo golat persona. Në fund Dilaver bëri premtimin se Vllaznia do të bëjë maksimumi për të arritur fitoren ndaj Partizanit.

“Është e vërtetë që kohët e fundit nuk kam shënuar gol dhe për këtë kërkoj ndjesë. Nuk jam këtu vetëm për të shënuar gola, por edhe për të ndihmuar skuadrën dhe e rëndësishme është që Vllaznia luan mirë. E rëndësishme është të jemi në vend të parë dhe të ruajmë diferencën që kemi me ndjekësit dhe besojmë se mund të arrijmë diçka të madhe.

Ne nuk mund të zhgënjejmë trajnerin sepse ai na ka dhënë besim dhe ne zbatojmë gjithmonë urdhërat e tij. Ndonjëherë ne luajmë përtej kapaciteteve tona pasi trajneri e meriton sepse ai përkushtohet 100% në çdo ndeshje.

E rëndësishmë për ne është që të mendojmë gjithmonë për vendin e parë. Nëse unë do të shënoja 15 gola dhe do të ishim në vend të fundit, nuk besoj se tifozët do të ishin të kënaqur për këtë. Keni shembull që Vllaznia është në vend të parë dhe jemi 9 pikë, Ardit Hoxhaj është golashënuesi I skuadrës e për këtë jam I kënaqur sepse ne kemi luajtur mirë”.

Gol ndaj Partizanit? “Shpresoj që të shënoj si ndeshjen e parë dhe do të bëjë maksimumin që mos t’i zhgënjej tifozët. E dimë që Partizani është një skuadër e fortë, dhe nuk do të jetë e lehtë. Ne kemi lojtarë cilësorë që mund të bëjmë diferencën në fushë dhe shpresojmë me një fitore.

Kemi marrë disa lojtarë të mirë dhe I kam parë në fushë dhe kjo shton konkurrencën. Me këto afrime besoj se do të kemi sukses. Ju premtoj dhe do mundohemi që të fitojmë nesër dhe të sjellim një 3 pikësh në Shkodër”.