Vllaznia barazoi 2-2 në javën e dytë të Superiores kundër Erzenit. Shkodranët nuk treguan ndoshta nivelin e tyre siç e bënë ndaj Kukësit, por gjithashtu edhe disa gabime arbitrare në dëm të kuqebluve bënë që ata të dilnin me vetëm 1 pikë nga ky duel. Por ajo se çfarë ra në sy dje ishte edhe formacioni i hedhur në fushë nga Memelli.

Trajneri pogradecar preferoi një skemë 4-3-3, duke tentuar kështu që ta dominonte kundërshtarin. Emrat përbërës gjithashtu të 11-tshes së kuqebluve ishin disi të ndryshëm nga formacioni që zbriti në fushë ndaj Kukësit. Si rrallë herë në sezonet e fundit kishim në formacion plot 7 lojtarë shkodranë.

Duke nisur që nga porta ku ishte Qarri, për të vijuar me krahët e mbrojtjes ku djathtas mbuloi Smajli dhe në të majtë Hakaj. Në mesfushë gjeti vend në formacion Alivoda. Ndërsa pjesa e sulmit u mbulua nga krahët nga Gruda e Çoba e si sulmues kryesor ishte Balaj. Të gjithë përveç Çobes prodhim i akademisë Vllaznia, ku duhet theksuar se numëri 11-të është rritur në moshat e akademisë Ajaks.

Po ashtu nga stoli erdhën edhe Pusi e Sala. Vetëm Stojanovic, Cheshmijedev, Mala dhe Boshnjaku ishin ata që cilësohen si “jabanxhinjë” në formacion. Kishte disa vite që tek Vllaznia nuk zbrisnin në fushë kaq shumë shkodranë në formacion. Por tashmë duket se këtë sezon ekipi është shumë më i “shkodranizuar” seç ka qenë në 3-4 edicionet e fundit të Superiores.
Endri ÇINARI