Sauthempton ka regjistruar një tjetër humbje dhe ambiciet e skuadrës për të përfunduar mes 10 më të mirave në Premier Ligë kanë marrë një goditje të rëndë. Sipas trajnerit Ralf Hazenhutl, forma e disa futbollistëve ka ndikuar në këtë rënie dhe pas përfundimit të ndeshjes së humbur 2-1 ndaj Kristal Palas, ai veçoi pikërisht Armando Brojën si shembull.

“Mendoj se nuk kemi parë një ndeshje të mirë sot. Fitoi skuadra që kishte zëvendësues pak më të mirë’, tha fillimisht Hazenhutl, i cili më pas kritikoi në mënyrë specifike Brojën të cilin e aktivizoi në minutën e 65 të takimit.

“Më duhet ta them se unë pres më shumë nga ata që luajnë si zëvendësues. Kjo është ajo ku ndjejmë mangësi në këtë moment. Broja nuk është më i njëjti lojtar që kemi parë javë apo muaj më parë. Dhe ky është ndryshimi në këtë moment. Është një situatë shumë, shumë e vështirë për t’u kapërdirë.

Por është një gjë e vërtetë që kur bëjmë një hap, ne dështojmë. Ka një arsye pse ndodh, ndoshta se nuk jemi të mirë mjaftueshëm. Dhe kjo është ajo që duhet të ndryshojmë në të ardhmen”, tha Hazenhutl.