Ndodh edhe kështu. Brenda tre ditësh, dy djem xhaxhallarësh kanë ngritur dy kupa si kampionë të vendit. Më e bukura është se ato bëjnë sporte të ndryshme por i bashkon mbiemri, të qënurit kapitenë dhe po ashtu edhe fakti se janë edhe më të mirët e vendit për këtë sezon me ekipet e tyre. Bëhet fjalë për Ditmir dhe Edison Rrashketën. I pari është një volejbollist i njohur i cili mbrëmjen e së premtes ngriti kupën për ekipin e Vllaznisë duke e shpallur atë kampione të Shqipërisë për herë të parë në historinë e saj.
Tre ditë më vonë, pikërisht këtë të hënë, Edisoni- basketbollist, duke qenë kapiten i ekipit të të rinjve të Vllaznisë, i takoi që të ngrinte i pari kupën e ekipit kampion pasi mundën në finale Tiranën. Koinçidensë e bukur megjithatë ndodh rrallë në fakt. Në lidhje me këtë fakt, kampioni i volejbollit- Ditmiri thotë: “Rastësi e bukur, edhe Edisoni rastisi që të jetë kapiten i ekipit të basketbollit të të rinjve duke ngritur edhe ai kupën e titullit kampion që fituan. Këto trofe na nxit që të bëjmë edhe më shumë në të ardhmen, për veten, për familjet tona dhe për qytetin tonë”.
Kampionë të ndryshëm në sporte të ndryshme,kjo është vërtetë diçka fantastike dhe natyrisht që fisi Rrashketa ka me çfarë të krenohet por edhe klubi Vllaznia dhe Shkodra. Si Ditmiri ashtu edhe Edisoni kanë provuar të jenë edhe pjesë e ekipeve kombëtare, i pari me ekipin e të rriturve të volejbollit dhe i dyti me kombëtaret e moshave të basketbollit. Në njëfarë mënyre duken të plotësuar në karrierën e tyre, edhe me këto titujt e fundit por në fakt ata kanë ende shumë për të dhënë dhe… të presim.
Gjergj KOLA