Ish-drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djar mati, është rikthyer në Shkodër për të ndjekur nga afër ndeshjen e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Partizanit. Kroati ka preferuar të shikojë këtë takim në tribunën e medias, ndërsa ka gjetur kohën për t’u kthyer në Shqipëri pasi në Indi kampionati ka mbaruar.

Djarmati është pjesë e klubit Chenain në vendin aziatik, bashkë me ish-trajnerin e Vllaznisë, Tomas Brdariç. Por si e ka parë ekipin kuqeblu së fundmi ish-drejtori sportiv i shkodranëve? Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka folur edhe për garën për titull, ku thekson se nuk është aspak çudi që në lojë deri në fund të jetë edhe Teuta.

Djarmati zbulon se është i interesuar për të afruar në klubin indian lojtarë nga Vllaznia dhe Partizani, por pa përmendur emra. Sipas kroatit, kuqeblutë kanë shumë shanse për të fituar për të tretin vit radhazi Kupën e Shqipërisë.

Matko, riktheheni në Shkodër pas një kohe të gjatë, duke ndjekur nga afër ndeshjen Vllaznia-Partizani…

Po, jam kthyer nga India, sepse kemi dy javë pushime, prandaj vendosa që të kaloja disa ditë pranë familjes në Shqipëri. Jam këtu, jo vetëm për qejf, por edhe për të punuar. Pra, të shikoj ndonjë lojtar të kampionatit shqiptar që mund të vlejë për skuadrën në Indi (Chenain).


Keni vënë ndonjë piketë?

Kemi 3-4 muaj që shikojmë disa lojtarë. Kemi futbollistë interesantë edhe tek Vllaznia që i njohim shumë mirë, por edhe tek Partizani ka dy-tre lojtarë për ne.


Sa e keni ndjekur Vllazninë këtë periudhë që jeni në Indi?

Kur kam pasur mundësi e kam ndjekur gjithmonë skuadrën. Vetëm në rastet kur oraret kanë qenë të njëjta me ndeshjet tona nuk e kam ndjekur Vllazninë. Por, më së shumti i kam parë ndeshjet.


Si e shikoni këtë ekip, që humb në shtëpi me Kastriotin dhe më pas fiton bindshëm ndaj Partizanit?

Ishte shumë e çuditshme ajo ndeshje ndaj Kastriotit. E kam ndjekur Vllazninë me Partizanin dhe duke kujtuar atë humbje me Kastriotin, mendoj se ka qenë një nënvlerësim. Të luash shumë dobët dhe pas tri ditësh të luash mirë me Partizanin nuk di çfarë emri t’i vendos.


Çfarë përshtypjeje ju ka lënë gara për kreun?

Mendoj se kampionati për kreun është i hapur për tri apo katër skuadra. Pas Tiranës, Partizanit, Vllaznisë dhe Egnatias, nuk dua që të harroj edhe Teutën. Tashmë Vllaznia ka një ndeshje shumë të fortë në Durrës dhe nuk është e habitshme që Teuta të futet në luftë për titullin.


Vllaznia është në luftë për titull, por edhe për Kupën e Shqipërisë. Ku mendoni se do të bëjë më mirë?

Duke qenë se ndoqa Vllaznia-Partizani, më duket se të dy trajnerët kishin llogaritur se nuk do të zgjidhet kualifikimi në këtë ndeshje të parë, por 3-1 është një rezultat shumë i favorshëm. Tashmë për kalimin në gjysmëfinale e shikoj Vllazninë favorite.


Në dy Kupat e fituara keni qenë edhe ju pjesë e klubit. Mund të fitojë sërish Vllaznia këtë trofe për të tretin edicion radhazi, si kurrë më parë një klub shqiptar?

Janë shumë kujtime të bukura, por pse të mos mendojmë që do të vijë edhe e treta. Pse jo, e shikoj edhe këtë vit që në Kupë luan më cilësisht se në kampionat dhe ka krijuar shumë eksperiencë. Kjo do ta ndihmojë që të sjellë edhe Kupën e tretë në Shkodër.

Si po ju shkojnë punët me ekipin tuaj në Indi dhe bashkëpunimi që keni me Thomas Brdariçin?

Kemi mbyllur kampionatin në vendin e 7-të, një pozicion jo i mirë për ne. Tani kemi Kupën e Indisë për të luajtur dhe kemi pretendimet tona aty.