Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e vlefshme për Superioren. Një moment që duhet evidentuar është përplasja mes Zguros dhe Adilit, në pushimin e pjesës së parë. Në një lidhje me Rubrika Sportive, foli drejtori sportiv i shkodranëve, Matko Djarmati. Djarmati tha se djemtë e Brdariç synojnë 4 vendet e para.

“Kishim planifikuar marrjen e 3 pikëve, por nuk shkoi siç deshëm na. Nuk shkoi ashtu siç e përgatitëm. Ky është futbolli. Nuk na ndodhi ashtu siç pritëm.

Kartoni i kuq i Adilit ka ndryshuar komplet situatën për pjesën e dytë. Kështu, na u lexua loja. Çdo klub do të menaxhojë këtë situata. Si profesionist do durosh çdo ofendim dhe provokim. Nuk kam qejf të shkoj më tej. Kemi humbur 2 pikë. Adili është lojtar kryesor. Mungesa e tij në pjesën e dytë u vu re. Adili ka bërë ndonjë gabim, por nuk kthehem të flas më.

Kemi një fitore dhe tre barazime. Kemi filluar kampionatin duke luajtur jashtë shtëpie. Kampionati është shumë i ekuilibruar. Kishim shumë ndeshje të vështira. Përpara kishim ekipe pretendente. Nuk kemi marrë maksimumin. Kur shikoj lojën tonë me disa gabime, mendoj sesi t’i rregullojmë gjërat.

Kartonët? Çdo gjë vjen nga provokimet. Do ulim në maksimum këto gjëra. Ne kemi probleme edhe me heqjen e fanellave.

Titulli? Synojmë katër vendet e para. Shpresojmë ta mbyllim brenda objektivave” – tha ai./newsport/