Ndoshta edhe ata që nuk e kishin çuar kurrë në mend rënien e Skënderbeut nga elita, tashmë kanë filluar ta shohin si një ngjarje reale për të marrë masat e duhura. Edhe pse plagët e dhimbjes ende nuk janë mbyllur dhe rënia një kategori më poshtë nuk është zyrtarizuar matematikisht e rëndësishme është se çfarë do të bëhet me skuadrën në vazhdimësi.

Në kushte të tilla, bardhekuqtë e Skënderbeut duket se kanë bërë llogari për gjithçka. Drejtuesit janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Edhe nëse korçarët bien nga kategoria, plani i klubit duket se është i ndërtuar.

Në kushte të tilla, presidenti Ardjan Takaj është i vendosur se do të mbajë në ekip të gjithë lojtarët që kanë një kontratë afatgjatë me Skënderbeun.

Një lëvizje kjo për të pasur të sigurt boshtin e ekipit, që do të punojë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë me synimin për të rikthyer Skënderbeun në elitë.

Pak a shumë duket sikur klubi ka ide të qarta edhe për skenarin më të keq, por do të tentohet deri në fund të shpëtojnë nga ajo që do të ishte për Skënderbeun mbyllja më e keqe e një cikli të suksesshëm.