Pas fjalëve të presidentit të Dinamos, Marko Pontreli se meritën për ngritjen e klubit në elitë e kishte vetëm ai dhe se të tjerët e kishin hedhur në kosh historinë e bluve, ka ardhur së fundmi erdhi reagimi nga tifozët e “nëndetëses”. “Blue Boys”, tregojnë mirënjohje ndaj presidentit, por i kërkojnë të bëjë kujdes nga mercenarët që ka pranë.

Reagimi i Blue Boys:

Grazie Marco Pontrelli!

Nëse këto janë fjalët që doje t’i dëgjoje publikisht, ja ku i ke.
Ju e dini shumë mirë që të kemi vleresuar dhe mbështetur prej momentit të parë që erdhe në ekip, duke qenë të vetmit që dolëm krahë teje.
E dini mirë se ishim në që dolëm kundër presidencës së vjeter dhe ishim një prej faktorëve të rëndësishëm në ndërrimin e kryesisë, duke riskuar gjithsesi për diçka të re me shumë pikpyetje nga mbrapa…

Ashtu siç jemi të vetmit që nuk e kemi lënë vetëm këtë skuadër për 9 vite, nuk të lamë vetëm as ty, atëhere kur kishe nevojë të merrje drejtimin e Dinamos.

Falenderimet dhe mirënjohjen ky grupim t’i ka përcjellë çdo javë përgjatë këtyre 18 muajve për atë çka bëre për ekipin ndaj nuk është e udhës të të ngrejmë në piedestal.

Megjithatë, një këshillë të fundit nga ne që e deshëm Dinamon në ditët e errëta kur të tjerët e harruan: Ki kujdes nga mercenarët dhe njerëzit qe mban afër. E dimë mirë se ata që të shanin, sot janë rreshtuar në krahun tënd apo anasjelltas dhe kjo falë interesit ekonomik!

Historia nuk gjendet në koshin e plehrave, siç u shprehët ju në tv, dhe ashtu si Roma, nuk u ndërtua për një ditë!

Dinamo, e përjetshme.

BLUE BOYS
12.05.2021