Chris Gunter shpreson që Gareth Bale t’i huazojë avionin privat në mënyrë që ai të sjellë familjen e tij në Shqipëri me rastin e rekordit që do të vendosë në miqësoren që Uellsi do të zhvillojë në “Elbasan Arena” kundër kuqezinjve të martën në mbrëmje (ora 20:00).

Gunter do të bëhet lojtari i Uellsit me më shumë ndeshje të luajtura, duke thyer rekordin që mbahet nga ish-portieri Neville Southall, i cili ka luajtur 92 takime me përfaqësuesen britanike. Mbrojtësi i Reading ka hasur disa vështirësi për të transportuar familjen e tij në vendin tonë dhe duket se do t’i kërkojë ndihmë shokut të tij të përfaqësueses dhe yllit të Real Madrid, Gareth Bale, i cili ka në pronësi një “Cessna Citation XL Plus” me vlerë 9.35 milionë sterlina.

“Do t’i kërkoj nëse mund t ë më huazojë avionin e tij”, ka thënë Gunter. “Nuk është e lehtë të shkosh në Shqipëri, por nëse tifozët e Uellsit mund t’ia dalin mbanë, jam i sigurt se mund të gjej një mënyrë. Do të përpiqem të marr disa familjarë atje. Edhe nëse nuk ia dal dot, jam i bindur se do të më ndjekin nga diku”, ka thënë ai.

Trajneri Ryan Giggs do të bëjë disa ndryshime pas humbjes 2-1 të pësuar kundër Danimarkës të premten e kaluar, që i mohoi ekipit të tij ngjitjen në Ligën A të Nations League. Mbrojtësit James Chester dhe Paul Dummett nuk do të jenë në dispozicion për shkak dëmtimi. Gjithashtu, Giggs ka konfirmuar se Gunter do të luajë në Elbasan dhe lojtari ka thënë se Shqipëria është vendi i përshtatshëm për të thyer rekordin e Southall.

“Shumë nga ata tifozë që do të jenë në Shqipëri kanë udhëtuar në të gjithë botën për të ndjekur ndeshjet në të cilat unë kam luajtur. Do të ishte një nder i madh për mua që do ta thyej rekordin para këtyre tifozëve, të cilët shpenzojnë paratë e fituara me djersë për të na ndjekur në të gjithë këto vende”, ka thënë Gunter.

Rreth 2.000 tifozë të Uellsit do të udhëtojnë drejt Elbasanit dhe Gunter i ka premtuar atyre se skuadra nuk do ta marrë me lehtësi këtë ndeshje pas humbjes zhgënjyere të marrë kundër Danimarkës. “Nuk do të jetë thjesht një miqësore”, ka thënë ai. “Është një ndeshje për vendin tonë dhe do të ketë rëndësi. Do të bëjmë gjithçka është e mundur për të fituar”, ka përfunduar mbrojtësi i Uellsit./telesport/