Trajneri i Teutës, Enkelejd Dobi, mendon se skuadra e tij ka bërë mirë përballë Dinamos edhe në një ditë kur ekipi nuk ishte në maksimumin e tij.

“Nuk ishte ndoshta dita jonë më e mirë, komplet si ndeshje. E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen dhe prisnim që të ecnim para me një filozofi që të imponojmë lojën. Por ka edhe kundërshtar, i duhen dhënë meritat Dinamos. Mendoj që sot pamë një Dinamo të vërtetë, se nuk mund ta themi kur luajtëm 10 kundër 11. Por është një ekip jashtëzakonisht i balancuar, një ekip që ka ekuilibër, ka konceptin dhe automatizmat. Ne jemi në proces, e nuk duhet të themi vetëm se po rritemi, por prisja më shumë nga ekipi, nga mënyra si kishim zgjedhur konceptin për të goditur Dinamon.

Nuk funksionoi siç duhet, duhen marrë përgjegjësitë, por jemi të kënaqur se ishte një ndeshje për 0-0, të dy skuadrat kishin raste, por mendoj se me volumin e lojës ishte tamam për 0-0. Fillimi ishte i mirë, por pastaj lojtarët e menaxhojnë vetë, janë kushtet, kundërshtarët, jam i kënaqur si e menaxhuam lojën. Me kartonin e kuq duhej të bënim më shumë dhe ekipi duhej ta menaxhonte më mirë, të ishte me cinik. I dhamë Dinamos mundësinë që edhe me 10 të kishte vetëbesim, duhej të tentonim më shumë të ishim më agresivë.

Mos harrojmë që fituam edhe ne me 10, nuk do të thotë gjë. Ndoshta na futi pak në gjumë i kuqi, ndoshta menduam që mund ta menaxhonim ndryshe, duhet të funksiononim më mirë, të krijonim më lojë, të ishim më cinikë. Por mos harroni kishim dy situata të Beshirajt, por nuk ishte ajo që kërkojmë që duhet të shfaqim në fushë. Kur je 10 me 11 duhet menaxhuar ndryshe, duhet të jesh më i matur, më kërkues, të fusim marshin e 6 dhe 7, të mos luajmë me të njëjtin ritëm e strukturë, të krijonim më shumë raste për gol e ishim agresiv.

Duhet të themi nga fillimi që gjatë kësaj jave na iku shtylla kurrizore me Gomez, Votlai dhe pastaj Vidal. Pastaj kur ikën shtylla kurrizore, te trupi ndjehet, nuk është më aq i shëndoshë. Por është një grup, është shans që djemtë të tregojnë vlerat. Por nuk janë në ritmin e lojës si Gomez, Votlai e VIdal që është organizatori. Arifi po rritet, por i japim mundësitë, ka perspektivë, nuk ka pse të qahemi. Por Arifi duhet të ketë stabilitet, vazhdimësi, se mendoj se është e ardhmja për Teutën dhe Shqipërinë”, tha Dobi për RTSH pas ndeshjes.