Partizani pret ditën e nesërme skuadrën e Vllaznisë për të zhvilluar mes tyre edhe duelin e kthimit të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë. Në stadiumin “Partizani” demat në orën 17:00 do të synojnë edhe përmbysjen e rezultatit 3-1 të ndeshjes së parë në Shkodër.

Të kuqtë me në krye Giovanni Colellën i kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën me shkodranët ku i vetmi synim është kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës. Një lajm i mirë për italiani është se do të ketë në dispozicion të tij të gjithë lojtarët. “Dhimbjet e kokës” këtë herë do t’i ketë për të zgjedhur më të mirën që do të hedhë në fushën e lojës.

“Ekipi i ka dhënë fund përgatitjeve në prag të takimit të kthimit ndaj Vllaznisë, i vlefshëm për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Seanca e fundit stërvitore është zhvilluar në orën 16:00 në kompleksin sportiv Partizani.

Në drejtimin e trajnerit Colella dhe stafit teknik prezent kanë qenë të gjithë lojtarët. Ndeshja e kthimit çerekfinale Partizani – Vllaznia do të luhet të mërkurën në “Stadiumin Partizani” ora 17:00”, ka shkruar klubi i kuq në rrjetet sociale./newsport/