Në kampin velipojak askush nuk ka dashur të flasë. Thjesht për të harruar atë që ndodhi dhe për të mos I kushtuar rëndësi. Humbja me Lushnjën në fakt nuk është pritur mirë nga futbollistët edhe drejtuesit e Adës. Ato thonë se kurrsesi nuk e meritonin atë megjithatë me përjashtim të një prononcimi të presidentit Pjetri menjeherë pas ndeshje ku akuzonte gjyqtarin Jorgji për ndikim në rezultatin e saj. Pas këtij prononcimi nuk ka patur asnjë tjetër. Nga kampi lushnjar ndërkohë nuk kanë munguar çdo ditë deklaratat e trajnerit Bano dhe futbollistëve të kësaj skuadre, për “dhunë”, “presion” e shumë gjëra të tjera. Nisur nga këto deklarata, është detyruar të reagojë dje kapiteni I skuadrës së Adës Edmond Doçi që është shprehur:
“Jam duke u habitur kur lexoj çdo ditë nëpër gazeta që vijnë nga skuadra e Lushnjës. Ajo që më ka çuditur është edhe deklarata e trajnerit Bano që flet për dhunë e shumë gjëra të tjera të pavërteta për ndeshjen ndaj nesh. Nuk I takon këtij trajneri të japë në media gjëra të pavërteta. Me përjashtim të momentin kur Galica goditi me shkelm Pukën që ishte I shtrirë në tokë dhe lojtarët e pankinës sonë reaguan ndaj tij, nuk ka patur asnjë moment tjetër që mund të lërë vend për gjëra të tilla. Madje, trajneri Bano duhet ta ketë të qartë se çfarë reagimi do të kishte patur nëse një futbollist I Adës do kishte goditur një të Lushnjës. Për të mos përmendur pastaj edhe veprimin e presidentit tonë Lazër Matija që e mori Galicën në mbrojtje dhe e dërgoi në dhomat e zhveshjes për të shmangur incidentet. Ky ka qenë momenti I vetëm problematik I ndeshjes dhe ky I shkaktuar nga një futbollist I Lushnjës”. Për mbrojtësin e majtë të Adës, lojtarin me përvojë Edmond Doçi që ka luajtur edhe me Vllazninë në Superligë, lushnjarët nuk kanë pse të ankohen dhe “të qahen” për ndeshjen me ta. Përkundrazi, sipas tij, ajo që duhet të ankohet duhet të jetë Ada e për këtë thotë: “Lushnja kërkon të gjejë alibi të kota. Unë nuk e di pse vazhdojnë të flasin. Ata e morën fitoren në Velipojë, atë që kishin kërkuar që para zhvillimit të saj. Kishin ardhur me gjyqtarë me vete dhe ishin pikërisht ata që ia dhanë fitoren falë gjykimit krejt të njëanshëm në favor të tyre. Jorgji u dha një 11-metërsh të paqenë që solli dhe golin e fitores për lushnjarët, I ndihmoi me faulla ndërsa ne na pengonte të luanim duke na ndalur aksionet. Por të mos harrojmë se për këtë ndeshje, present në Velipojë ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe uniforma të tjera të shumta policie. Unë nuk e di se çfarë duheshin kaq shumë policë në këtë fushë kur asnjëherë nuk ka patur incidente. Kjo tregon se ata I kishin bërë planet ndryshe, donin të fitonin me çdo kusht dhe ia arritën falë këtyre mënyrave jo të rregulta”. Megjithatë tashmë çdo gjë ka kaluar. Mendja e velipojakëve është tek ndeshja e rradhës, ajo që do të luhet ditën e shtunë në Lezhë ndaj Besëlidhjes vendase. I pyetur në lidhje me këtë ndeshje, Doçi do të përgjigjej: “Mendoj se ka për të qenë një ndeshje shumë e fortë sepse të dyja skuadrat ndodhen në pozita aspak të mira në renditje. Në kushte të tilla, nëse arrijmë të marrim një pikë në Lezhë, duhet të jemi të kënaqur sepse së paku e lënë poshtë renditjes sërish Besëlidhjen megjithatë t’ia lëmë fushës këtë gjë”.
Gjergj KOLA