Më 17 nëntor të 2004-ës, kundër Finlandës niste karriera në kombëtaren italiane për Xhorxho Kielinin. Sot, ai do të prekë kuotën e 100 ndeshjeve për vendin e tij, një aventurë për të cilën u shpreh:

“Fanella e kombëtares është e veçantë sepse nuk identifikohesh si pjesë e një klubi, por ke rastin të përfaqësosh atdheun. Është një nder dhe motiv krenarie, sepse kur je fëmijë ëndërron kombëtaren, por kurrë 100 ndeshjet.

Kjo është përtej çdo imagjinate. Vërtet disa cilësi i kam pasur, por pas kësaj arritjeje ka shumë punë dhe djersë”. Momente të bukura, por edhe kujtime të hidhura që plotësojnë karrierën e mbrojtësit me “axurrët”.

“Karriera në kombëtare ka pasur shumë momente të bukura, por sigurisht edhe çaste jo fort të këndshme. Pengu më i madh mbetet Botërori, sepse me moshën që kam, dukshëm nuk do të kem mundësi të luaj në të ardhshmin. Ndaj Suedisë prek pikën më të ulët me fanellën “axurre”, por ishte akoma më dhimbshme të shihje shokët e Juves që shkonin me kombëtaret e tyre në Botëror, teksa ne qëndronim në shtëpi.

Ndaj Portugalisë do të mundohemi të tregojmë gjithçka të mirë bëmë në takimin e fundit me Poloninë, një muaj më parë, në fushë nuk do të kenë rëndësi 100 ndeshjet”, deklaroi Kielini, që në jetën e tij ka arritur një doktoraturë në Ekonomi.