Javën e ardhshme, konkretisht në datat 24 dhe 25 nëntor në Mitrovicë të Kosovës do të zhvillohet turneu i 20-të jubilar “Adem Jashari”. Një aktivitet ndërkombëtar i cili nga viti në vit merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, nisur edhe nga shtrirja e pjesmarrjes.

Edhe në edicionin e sivjetëm do të marrin boksierë shumë të mirë dhe përveç atyre të vendeve të Rajonit, kanë konfirmuar pjesmarrjen edhe boksierë të vendeve të tilla si Italia e Gjermania. Po ashtu, nuk do të mugojnë edhe boksierët e kombëtares shqiptare.

Kryetrajneri Zef Gjoni bën të ditur se vendi ynë do të përfaqësohet në këtë turne me pesë sportistë. Kështu, në peshën 60 kilogramë do të konkurrojë 18 vjeçari i talentuar i Vllaznisë Asmir Skutina, në peshën 75 kilogramë do të konkurrohet me dy sportistë, Alban Beqirin e Tiranës dhe Idriz Istrefin e Kukësit.

Në peshën 81 kilogramë do jetë boksieri shkodran Bekim Vjerdha dhe në atë 91 kilogramë, një tjetër shkodran Albert Kapaj. Sipas trajnerit të kombëtares tonë, përbërja e sivjetme e ekipit nuk është më e mira e mundshme dhe për këtë arsye, do të jetë shumë e vështirë për të pretenduar për medalje të arta, megjithatë në një apo dy pesha do të ketë pretendime.

Kombëtarja shqiptare ndërkohë është në përgatitjet e fundit për këtë aktivitet dhe do të niset drejt Kosovës më datë 23 nëntor.Rivaliteti pritet të jetë i madh në këtë aktivitet sepse është vlerësuar maksimalisht jo vetëm nga mikëpritësit por edhe nga ekipet e tjera pjesmarrëse.

Meqë është edicioni i 20-të i këtij turneu, organizatorët kanë menduar të ketë një organizim të veçantë dhe në të do të marrë pjesë si i ftuar special edhe një emër i madh i boksit europian si Luan Krasniqi.
www.shkodrasport.com