Bylisi humbi në Laç dhe ballshiotët shkojnë tashmë në tri ndeshje radhazi që nuk marrin fitore. Këtë të shtunë ballshiotët presin Apolonisë, që duket se është dorëzuar për mbijetesën.

Tri pikët në këtë sfidë janë jetike dhe mallakastriotët pritet që të jenë më të plotë. Lojtarë të spikatur dhe titullarë, duke filluar që nga Nemanja Kojiç e Andi Hadroji, do të jenë gati pas shlyerjes së pezullimit.

E njëjta gjë vlen edhe për Xhoi Carkanjin, i cili ishte dënuar që nga ndeshja e fazës së tretë me Laçin. Por, ajo që bën jo pak përshtypje janë dëmtimet në Laç pas ndërhyrjeve të ashpra. Probleme kanë shfaqur në lojë, por edhe më pas me hematoma si Kreshnik Nebihi, që është detyruar të lërë fushën, ashtu si edhe Loran apo portieri Pano Qirko.

Të tre titullarët e Bylisit kanë bërë ekzaminime në klinika të specializuara në Fier dhe Vlorë për të parë edhe shkallën e dëmtimit. Vetëm sot do të mësojmë nëse skuadra do të ketë mungesa, pasi priten edhe përgjigjet e shkallës së dëmtimit të tre lojtarëve. Ndërkohë, dje në fushë kanë dalë lojtarët të cilët nuk kanë luajtur si titullarë në Laç apo dhe ata që kanë qëndruar në stol gjatë gjithë ndeshjes.

Me ballshiotët që kanë skuadrën e plotë synohet që të merren tri pikët ndaj Apolonisë. Bylisi barazoi 2-2 në fazën e parë në Fier, më pas fitoi në Ballsh 3-1, si dhe në fazën e tretë gjithashtu triumfoi 0-1.