Vllaznia që të ketë suksese në të ardhmen, duhet që të mbështetet tek elementi vendës. Ky është konkluzioni që drejtori sportiv i akademisë Vllaznia, Alban Hasani, ka thënë gjatë intervistës së tij për “Panorama Sport”.

Ekipi i 19-vjeçarëve shkodranë është shpallur kampion për grupin e veriut. Ky është trofeu i dytë sezonal pas fitimit të Kupës për këtë skuadër. Por, një gjë e tillë duket se është edhe një nxitës më shumë për të kërkuar edhe trofeun e kampionit kombëtar.

Por, për Hasanin nuk mund të ketë një ekip të parë cilësor nëse nuk do të ketë në përbërje lojtarë shkodranë. Ai beson se në Superiore Vllaznia me një mënyrë më të mirë organizimi, mund të jetë në ekipet pretendente.

Vllaznia U-19 sërish kampione e grupit, do synoni sërish titullin kampion?

Është trofeu i dytë sezonal dhe i gjashti në këto 3 vjet. Kemi fituar të gjitha kupat e mundshme dhe për këtë uroj trajnerët Luan Zmijani e Gjon Kola, trajnerin atletik Fatjon Serhati dhe përgatitësin e portierëve, Paulin Ndoja, pa harruar këtu doktorin e skuadrës Alban Smajli.

Të gjithë kanë bërë një punë kolosale gjatë vitit në kushte të vështira. Një falënderim për prindërit që me sakrifica të mëdha kohore e financiare, që këto fëmijë të realizojnë ëndrrën e tyre. Kjo punë tregon se dyshja jonë drejtuese, Hoxha e Hasani jemi një dyshe fituese teknike e menaxhuese. Pa dyshim që fitimi i titullit kampion kombëtar është pikësynimi ynë se e meritojmë për atë çfarë kemi dhënë gjatë këtij sezoni.

Me U-19 kampion me vite, po ashtu edhe me ekipet e tjera të grupmoshave, çfarë po i mungon Vllaznisë së madhe që të jetë aty ku i takon?

E kam thënë edhe më parë që sa më pak lojtarë të huaj e sa më shumë besim te këta djem, pasi janë me gjak e sedër kampioni. Do të jetë në të mirë të ekipit të parë dhe do të jemi aty ku na takon.

Sipas jush, si ka mundësi që drejtuesit e ekipit të parë shikojnë nga tregu i huaj. A ka elementë në ekipet e akademisë në të cilët duhet të investohet dhe të nxirren pse jo fitime prej tyre?

E kam theksuar që përveç akademive të Kroacisë si Dinamo Zagreb, në Greqi, AEK, Paok i Selanikut apo Olimpiakos që janë më lart se ne, besoj se akademitë e tjera nuk kanë lojtarë më të mirë se ne përveç ndonjë futbollisti vërtet me talent të madh. Por, nga ana e sasisë, besoj se Shkodra është unike në Ballkan.

Kjo vërehet edhe në ekipet kombëtare të moshave që u japin më shumë përparësi lojtarëve nga jashtë, por që nuk kanë as më të voglin dallim nga lojtarët e akademisë sonë apo edhe Shkëndijës, Teutës, Flamurtarit, Kavajës e Tiranës që mendoj e jam i bindur që janë shumë e shumë më cilësorë se ata.

Sa prej këtyre lojtarëve që ngritën trofeun e dytë mund të jenë të gatshëm për ekipin e parë?

Mendoj se janë disa lojtarë si Qarri, Lekaj, Repaj, Shimaj, Qardaku, Hoxha, Ndreca, Kulla, Xhahysa, Mali apo edhe ndonjë tjetër që mund të kem harruar dhe i kërkoj ndjesë, të cilët mund të jenë të gatshëm për ekipin e parë.

A ka kohë dhe mundësi që Vllaznia të ndërtojë një skuadër pretendente në sezonin e ri?

Kjo do të shikohet, se është në dorë të drejtorit teknik e buxhetit që ai do ketë për këtë vit e sidomos plani i tij teknik për ekipin e parë. Kam besim, sipas bisedave të mia me drejtorin sportiv, Firat, që do t’u jepet mundësi edhe lojtarëve të rinj e po ashtu të shikojnë edhe përfitimet financiare nga ndonjë element cilësor si Sherri, Krymi, Gurishta apo edhe të tjerë. Duhet të jemi me këmbë në tokë për kushtet e mundësitë financiare që të pretendojmë për 5-shen e parë. Por, u takon drejtuesve që të gjejnë mundësitë për një gjë të tillë.

Çfarë duhet të ndryshojë Vllaznia që të mos luftojë sërish për mbijetesë në sezonin e ardhshëm?

Sugjerimi im është mbajtja e boshtit të ekipit të lojtarëve nga akademia. Më pas, disa blerje cilësore që bëjnë dallimin nga lojtarët tanë. Dhe jo që të vijnë në skuadër lojtarë që vitet e kaluara nuk kanë pasur asnjë lloj rendimenti.