Elton Marini ka dhënë një intervistë për “Tuttomercatoweb.com”, ku vëmendja ka qenë nga miqësorja e nesërme mes Shqipërisë dhe Italisë. Drejtori sportiv i Partizanit tregon se stadiumi do të jetë i gjithi i mbushur, ndërsa më tej krenohet edhe me prurjet e klubit në të cilin punon në Kombëtare. Katër lojtarë të skuadrës kryeqytetase kanë marrë ftesën e Rejës dhe kjo, sipas Marinit, dëshmon se puna e bërë deri më tani te Partizani ka qenë e duhura.

“Stadiumi do të jetë i mbushur, mendoj edhe se njerëzit e duan edhe kombëtaren italiane. Do të jetë një ndeshje shumë e përzemërt për shkak të afërsisë jo vetëm gjeografike mes dy vendeve. Ka një ndërthurje të mirë me Serinë A tuaj, si për nga vizioni këtu, por edhe për shumë lojtarë tanë që luajnë në Serinë A.

Çfarë i solli Reja Shqipërisë? Gjatë këtyre viteve Reja ka sjellë përvojën e tij të gjatë në futboll dhe ka vazhduar projektin për rinovimin e ekipit. Në përgjithësi ka sjellë rezultate të mira edhe nëse kërkesat janë gjithmonë të larta.

Ju keni katër lojtarë në ekipin kombëtar, çfarë do të thotë kjo? Fakti që Reja sjell katër lojtarë të tanët në Kombëtare është një krenari për Partizanin si klub, sepse dëshmon punën e mirë që kemi bërë këtë sezon. Është një punë e drejtuar me një trajner italian, Giovanni Colella. Dy sulmuesit tanë, veçanërisht Xhuliano Skuka i vitit 1998, i cili ka pasaportë franceze, mund të jetë një opsion për shumë klube italiane.

Këtë e kanë merituar plotësisht qendërmbrojtësi Eneo Bitri, kapiteni ynë, mbrojtësi Andi Hadroj i vitit 1999 dhe sulmuesi Tedi Cara i vitit 2000. Bitri ka eksperiencë ndërkombëtare, sepse ka luajtur jashtë, Skuka është stërvitur në Francë në ekipet e të rinjve, Hadroi dhe Cara janë prodhime të çerdhes sonë”, ka thënë Elton Marini./Sport Ekspres/