Partizani mori një fitore të rëndësishme në ndeshjen hapëse përballë Egnatias në Elbasan dhe tani po bëhet gati për sfidën e radhës kundër Laçit. Në konferencën për mediat, mesfushori i “Demave”, Engjëll Hoti, u shpreh se ekipi i ka mundësitë më të mira për t’u shpallur kampion dhe se do të jetë gati dhe për sfidën e radhës.

Çfarë ndjesie është të shënosh në një ndeshje zyrtare? – të shënosh një gol është gjithmonë mirë. Kur fillon kampionati dhe kur je i rëndësishëm për ekipin është gjithmonë mirë, se në miqësore mund të japësh gola sa të duash. E kemi filluar kampionatin shumë mirë këtë vit, me një fitore të rëndësishme.

Përballja me Laçin? – Ka ardhur një profesor i ri. Po bën një punë shumë të mirë. Ka akoma kohë. Dhe ne duhet të përshtatemi me sistemin e tij. Kemi marrë lojtarë cilësorë dhe tani që kanë ardhur javët e fundit, duhet të punojmë më shumë dhe të përshtatemi më shumë. I kemi shanset për të fituar dhe kampionatin.

Je dakord që Partizani t’i bëjë golat në minutën e fundit? – Atë ndeshje nuk ishim në Tiranë. Kur pashë momentin që Skuka i ra topit, i thashë Alban Hoxhës vetëm godit dhe e futi topin në rrjetë. Ishte një emocion shumë i madh. Loja e parë është gjithmonë e rëndësishme dhe fitorja na ndihmon me moralin, që të jemi pozitiv. Duhet të shpresojmë që të vazhdojmë kështu.

Mezi e prisni momentin për të luajtur në Tiranë… – E vërtetë. Gjithmonë kur luajmë në Tiranë, sidomos në “Air Albania” është një atmosferë fantastike. Sidomos ekipe si Partizani dhe Tirana kanë një anë pozitive nga tifozët që na shtyjnë shumë përpara.

Beson që Partizani shpallet kampion? – Mendoj që kemi lojtarë cilësor. Dhe i kemi dhe mundësitë për t’u shpallur kampion. Sidomos Partizani është një ekip që e synon kampionatin. Ashtu mendojë dhe unë. Kam ardhur këtu për t’u shpallur kampion. E shoh që mundësitë janë shumë të mira.

Duhet dhe pak kohë për t’u përshtatur me trajnerin? – Normalisht që gjithmonë ndryshimi i trajnerit do pak kohë që lojtarët të përshtaten. Unë mendoj që Marini ka bërë një zgjedhje shumë të mirë me këtë trajner. E shikoj që jemi përshtatur mjaft mirë dhe që po përshtatemi çdo javë akoma dhe më shumë.