Ditën e sotme nëpër media të ndryshme në kryeqytet doli lajmi se Arlind Kalaja ishte parë në stërvitje me ekipin e Partizanit. Një lajm surprizë ky për shumë kënd duke ditur se mesfushori shkodran tashmë luan në Suedi, ku në javët e fundit ka qenë ndër më të mirët për skuadrën e tij të Ljungskile.

“Shkodra Sport” u interesua nga burime të afërta në klubin Partizani për një informacion të tillë, por doli që asgjë nuk ishte e vërtetë. 26-vjeçari nuk ka qenë pjesë e asnjë seance stërvitore të “demave” dhe se një lajm i tillë për momentin nuk qëndron, pavarësisht asaj se çfarë mund të prodhojë e ardhmja.

Duket se identikiti i futbollistit të ardhur në provë së fundmi tek të kuqtë është ngatërruar me atë të ish-futbollistit të Vllaznisë. Kalaja në vendin tonë përveç ngjyrave kuqeblu, ka mbrojtur edhe ngjyrat e Kukësit, Teutës dhe Kastriotit. Ndërsa që nga marsi i këtij viti është pjesë e futbollit suedez.

Megjithatë në një periudhë merkatoje, ky lajm mund të cilësohet si një “fantazi” ose edhe ngatërresë. Por Kalaja vijon karrierën e tij në Suedi dhe Partizani kampionatin në Superligë dhe rrugët mes palëve duket se janë të ndara.

Endri ÇINARI