Dinamo tashmë është në duart e Dritan Mehmetit. Ky i fundit është prezantuar nga drejtuesit e “Bluve” bashkë me stafin e tij, Fatjon Tafaj si ndihmëstrajner, Ilir Bozhiqi si përgatitës portierësh dhe Korrado Sakone si përgatitës atletik.

Mehmeti rikthehet te “Nëndetësja” thuajse pas 3 muash dhe tashmë do të synojë edhe qëndrimin në Superiore. Ish-timonieri i Partizanit ka thënë edhe fjalët e para pas rikthimit te Dinamo, ku thekson se e kishte shumë të thjeshtë për t’u rikthyer, pasi është djali i shtëpisë.

“E kisha të thjeshtë vendimin, sepse jam djalë i shtëpisë te Dinamo. Kemi marrë përgjegjësinë për ta ndryshuar situatën, mentalitetin e skuadrës. Të gjithë bashkë do të bëjmë gjithçka për të mirën e Dinamos. FalEnderoj presidentin Adrian Bardhi dhe klubin për besimin që më kanë dhënë.

Presidenti jep gjithçka për ekipin, ai dhe tifozët janë pjesa më e pafajshme në këtë situatë. Koha besoj do të na japë të drejtë. Tani është koha të punojmë”, theksoi trajneri Mehmeti mes të tjerash.