Nga Endri ÇINARI

Çerekfinalet e kupës së Shqipërisë do vijojnë edhe ditën e sotme. Ku në orën 13:30 zbret në fushë Tirana përballë Teutës e në orën 17:00, Vllaznia do presë Erzenin. Këto duele do kompletojnë edhe 2 gjysmëfinalistet e tjera, ku ditën e djeshme u kualifikuan Egnatia që eleminoi Laçin dhe Kukësi që në mënyrë surprizë nxorri nga gara Partizanin.

Për t’u rikthyer tek dueli që i intereson më shumë tifozerisë shkodrane është ai mes Vllaznisë dhe Erzenit. Shkodranët kanë një detyrë aspak të lehtë sepse duhet të përmbysin shifrat ndaj shijakasve. Kjo pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale në datën 21.02.2024. Ekipi i Erzenit triumfoi falë golave të Asanit dhe Kacbufit e ndërsa për kuqeblutë shënoi Smajli.

Por pavarësisht se në kampionat janë në luftë për mbijetesë, shijakasit nuk kërkojnë të dorëzohen në kupë. Dhe duket se është hartuar edhe formacioni titullar me më të mirët e Erzenit. Nga porta pritet ta nisë Hasanbelli, që është portieri titullar i skuadrës. Në mbrojtje Atanda, Kacbufi dhe Sadiki pritet të formojnë mbrojtjen me 3.

Ku nga krahët do kenë mbështetjen e Asanit majtas dhe Maliqit djathtas. Në mesfushë treshja e zakonshme Migone, Alba dhe Kahrimanovic pritet të jenë në fushë. Ndërsa dyshen sulmuese priten ta formojnë Mihana dhe Zeka. Dy futbollistë që gjatë këtij sezoni i kanë shënuar Vllaznisë në kampionat dhe janë arma më e fortë e shijakasve këtë sezon./www.shkodrasport.com/