Laçi-Vllaznia do jetë dueli ndoshta më i fortë i javës së 19-të të kampionatit. Kurbinasit nga njëri krah që po kalojnë një formë të shkëlqyer e po ashtu kuqeblutë që pas fitores me Kastriotin duan të vijojnë në këtë rrugë. Një duel direkt për një vend në Europë dhe pse jo edhe për titullin kampion.

Por brenda sfidës do ketë një duel special mes dy prej futbollistëve më të mirë të kampionatit. Bëhet fjalë për Mentor Mazrekajn e Laçit dhe Liridon Latifin e Vllaznisë.

Të dy futbollistët me origjinë nga qyteti i Prishtinës janë prej atyre që bëjnë diferencën në kampionatin tonë. Me një teknikë për tu admiruar si “Menqa” dhe Latifi janë protagonistët kryesorë të skuadrave të tyre.

Mazrekaj nga ana e tij nuk është se ka shënuar shumë për Laçin këtë sezon ku numëron vetëm 2 gola. Por fantazisti ka shërbyer 5 asist dhe ka qenë një nga ata që kanë qenë ndër më të mirët deri në këtë fazë të kampionatit për bardhezinjtë. Liridon Latifi gjithashtu ka pasur një kontribut të çmuar për Vllazninë ku ka gjetur rrjetën 6 herë dhe po ashtu ka dhuruar 5 asiste.

Një duel “fantazistësh” të shtunën në Laç ku dy lojtarët nga Prishtina pritet të tregojnë sërish nga klasi i tyre. Por patjetër në të dy kampet ka futbollistë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment dhe të japin 3 pikët për skuadrat respektive.

Endri ÇINARI