Laçi-Vllaznia do jetë ndeshja e rradhës që do jetë e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit. Një takim që në vitet e fundit ku edhe Laçi ka qenë një nga ekipet e kreut të tabelës është cilësuar si derbi i veriut.

Edhe kësaj rradhe pritet një sfidë interesante mes kurbinasve dhe shkodranëve duke qenë se të dy skuadrat kanë pretendime të mëdha.

Laçi i drejtuar nga Mirel Josa po kalon një formë të shkëlqyer në 9 ndeshjet e fundit mes kupës dhe kampionatit. Bardhezinjtë kanë pasur vetëm rezultate pozitive duke marrë 7 fitore dhe 2 barazime. Ku humbja e fundit është pikërisht ndaj Vllaznisë në fazën e dytë. Por tashmë patjetër do jetë një histori tjetër.

Pavarësisht se Laçi do vuajë mungesën e emrave si Lushkja tashmë i transferuar tek Sheriff Tiraspol dhe Shehu i pezulluar me kartona, sërish do ketë në fushë futbollsitë që bëjnë diferencën. Një ndër ta është Renato Malota. Qendërmbrojtësi i cili ka luajtur edhe me Vllazninë për 3 sezone duket se po përjeton një “rini të dytë”.

Lider i prapavijës bardhezi, Malota për momentin gëzon një formë të shkëlqyer duke qenë një nga më të vlerësuarit e kampionatit. Në moshën 32-vjeçare, falë eksperiencës së tij ish-mbrojtësi i Kukësit dhe Partizanit është një nga pikat kyçe të formacionit të Josës.

Patjetër që vlerat e Malotes njihen e jo vetëm ai, por edhe emra si Mazrekaj, Guindo, Deliu apo Zarubica do jenë nga ata që priten protagonistë kundër Vllaznisë.

Endri ÇINARI