Vllaznia do të luajë ditën e nesërme me Flamurtarin në ndeshjen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë kanë humbur takimin e parë me rezultatin 2-1.

Ndërkohë, në sfidën e kthimit, Vllaznia do të aktivizojë 11-futbollistët më të mirë që do të ketë në dispozicion. Trajneri Mirel Josa ka menduar që këtë ndeshje ta nisë me skemën 4-2-3-1 dhe jo 4-3-3, ashtu siç ka luajtur pothuajse të gjitha përballjet deri më tani.

Kështu, në portë me shumë mundësi do të luajë serish Qarri nga sa kuptohet. Mbrojtja vazhdon me kapitenin Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Smajlin. Dyshja e mesfushës përpara mbrojtjes do të sajohet me Alivodën dhe Markun.

Në mbështetje të Ardit Hoxhajt, që do të luajë në majë të sulmit, do të jenë Mala dhe Çoba nga krahët, ndërsa në rolin e fantazistit në këtë ndeshje, do të jetë shqiptaro-malazezi, Kristijan Vulaj. Trajneri Josa ka akoma edhe një dilemë të fundit për sulmin, me Kainën që mund të jetë edhe ai një kandidaturë serioze për formacionin e parë në vend të Çobës, teksa nëse ndodh ky ndryshim, vendin e tij në krahun e majtë mund ta marrë Hoxhaj.

Megjithatë, kjo duhet parë në vazhdim se cili do të jetë vendimi i trajnerit Mirel Josa për 11-shen e titullarëve. Vllaznia-Flamurtari do të luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 14:00, në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-2-3-1): Qarri, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli, Alivoda, Marku, Mala, Vulaj, Çoba (Kaina), Hoxhaj Tr: Mirel Josa