Futbollisti shkodran Igli Çulaj do të jetë afrimi më i ri i Lushnjës në prag të mbylljes së merkatos së dimrit. Ai vjen nga ekipi i Tiranës U-21, aty ku mbajti edhe shiritin e kapitenit dhe tashmë ka nënshkruar me klubin lushnjar deri në fund të këtij sezoni.

Çulaj është një prodhim i Akademisë Vllaznia dhe bëhet fjalë për një mbrojtës shtatlartë me një të ardhme të ndritur përpara. Realisht, ai është një futbollist cilësor, i cili pak kohë më parë ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U-19 të Shqipërisë.

Ndërkohë në pjesën e mbetur të sezonit do të luajë për ekipin lushnjar, pas aventurës me skuadrat e moshave të Tiranës. Tashmë, Igli Çulaj është bërë pjesë e ekipit të Lushnjës dhe në vazhdim mbetet për t’u parë se si do të shkojë aventura e tij atje.

Kujtojmë këtu se në Lushnjë, futbollisti shkodran do të drejtohet nga një trajner i njohur siç është Klevis Dalipi dhe mbetet për t’u parë se sa hapësira do t’i japë tekniku elbasanas Igli Çulajt.
Maringlen ZHIVANI