Vllaznia-Kukësi do jetë sfida që do mbyllë këtë vit sportiv për secilën nga skuadrat. Dy ekipet nga veriu i vendit që mbajnë vendin e dytë (Kukësi, 27pikë) dhe të katërt në renditje (Vllaznia, 24 pikë) garantojnë për një duel të fortë sot që do kënaqë gjithë tifozat.

Sytë e të gjithëve patjetër që janë mbi repartet sulmuese të të dy skuadrave. Emra si Latifi, Da Silva apo Baša e Fejiao janë ndër më të mirët në kampionat. Zgjidhja e takimit pritet nga këta lloj lojtarësh, por një duel i fortë pritet të ketë në mesfushë, ku shpesh herë edhe fitohen takime të tilla.

Dyshja e mesfushës kuqeblu, Jonuzi-Krymi është një nga ato që ka shfaqur më shumë stabilitet gjatë këtij sezoni në kampionat. Si kuksiani i Vllaznisë ashtu edhe zëvendës kapiteni, Krymi janë dy ndër pikat e forta të shkodranëve. E përballë do kenë një dyshe po aq të fortë, dyshen e vëllezërve Taipi.

Si Shqiprim ashtu edhe Gjelbrim Taipi me shumë mundësi do jenë titullar kundër Vllaznisë sonte. Edhe vëllezërit Taipi janë dy ndër pikat e forta të Kukësit. Forcë fizike, duele të forta, por edhe inteligjencë pritet sot nga mesfushorët e të dy skuadrave, që pak herë përmenden në media, por janë shumë të rëndësishëm dhe thelbësorë për ekipet respektive.
Endri ÇINARI