Shqipëria mbylli në mënyrë zhgënjyese grumbullimin e muajit qershor, duke marrë një barazim dhe një humbje, në dy ndeshje të Nations League dhe një barazim pa gola ndaj Estonisë në miqësore.
Motivimi dhe mungesa e futbollistëve të caktuar që mund të bëjnë diferencën, janë disa nga arsyet e dhëna nga trajneri Reja si shkak i këtyre paraqitjeve. Edhe trajneri i Laçit, Shpëtim Duro është munduar të bëjë një analizë mbi situatën e Kombëtares në SuperSport.
Trajneri Duro, në rolin e analistit të ndeshjeve të Kombëtares, vijon të shprehë pakënaqësi për lojën e skuadrës së Shqipërisë. Një gjë të tillë e ka bërë edhe për dy ndeshjet e mëparshme, barazimin në transfertë me Islandën dhe humbjen me Izraelin në “Air Albania”, ndërkohë që e ka përsëritur edhe sonte pas barazimit të miqësores me Estoninë, po në “Air Albania”, teksa u shfaq sërish shumë kritik me Kombëtaren.
Pas barazimit me Estoninë, tekniku shprehet pesimist për vazhdimësinë e kuqezinjve. Duro u shpreh se te Shqipëria problem janë futbollistët e krahut, teksa theksoi se pikërisht një gjë e tillë i mungon Kombëtares, që nuk po bëhet ai hapi i madh që të gjithë e presin.
“Nuk është problem skeme, pasi 3-5-2 është një rreshtim, që edhe unë e përdor shpesh dhe të jep ekuilibër në fushë. Problemi është se në futbollin modern janë shumë të rëndësishëm futbollistët e krahut, ata që mund të futen në driblim një kundër një dhe të të japin superioritet numerik.
Ata që shkojnë në fund dhe hedhin krosime të rrezikshme. Futbollistë me cilësi të tilla, ne kemi vetëm Roshin, që po të ishte sot, do të ishte padyshim më i rrezikshmi. Janë pikërisht futbollistët e shpejtë dhe teknikë në krah ata që i mungojnë Kombëtares, prandaj nuk po e bëjmë atë hapin e madh që të gjithë e presim”,-tha ai.
Duro shtoi edhe se pritej diçka më shumë, duke u nisur edhe nga vetë kundërshtari që ndeshej Shqipëria, ndërsa theksoi se është shumë pesimist për të ardhmen.
“Është e qartë që pritej diçka me tepër për arsye se kishim një Estoni modeste. Kishte disa eksperimente, ishin normale, por të them të drejtën, jemi pesimistë për mënyrën se si u zhvillua ndeshja. Edhe në pjesën e parë, edhe në të dytën, skuadër e paqartë në aspektin sulmues. Kërkoi ta zgjidhë me top nga thellësia, vetëm një rast erdhi me driblimin e Çekiçit në pjesën e parë, ndërsa pjesa e parë ishte zero”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro.
Maringlen ZHIVANI