Ndeshja mes Laçit dhe Vllaznisë përfundoi në barazim 1-1.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 53-të me anë të Akinyemi, megjithatë shkodranët rikthyen baraspeshën në minutën e 67-të falë golit të Herald Markut.

Kështu, u mbyll në “paqe” sfida në Laç, teksa skuadrat ndanë nga një pikë që në fakt nuk kënaq asnjërën prej dy ekipeve me kurbinasit që mbeten në vendin e fundit të renditjes me pesë pikë, ndërsa nga ana tjetër, shkodranët shkojnë në tre ndeshje pa fitore dhe mbeten në vendin e pestë me 11 pikë.

Pas ndeshjes, ka folur dhe Mirel Josa, trajneri i Vllaznise.

“Nuk them dot se Vllaznia meritonte diçka më tepër. Goli i parë i Lacit ishte i evitueshëm, por me rëndësi ishte që ekipi luajti futboll, po kërkonte fitoren aq sa në pesë minutat e fundit kisha frikë se mos pësonim nga mënyra sesi po luanim përpara.

Mungesa? Nuk dua të justifikohem. Urdhëro, ja ku e kanë fushën të gjithë lojtarët, duhet të luajmë futboll. Mos harroni se me Flamurtarin në Kupë nuk kishim ndeshje të lehtë”.