Ndeshja mes Laçit dhe Vllaznisë përfundoi në barazim 1-1.

Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 53-të me anë të Akinyemi, megjithatë shkodranët rikthyen baraspeshën në minutën e 67-të falë golit të Herald Markut.

Kështu, u mbyll në “paqe” sfida në Laç, teksa skuadrat ndanë nga një pikë që në fakt nuk kënaq asnjërën prej dy ekipeve me kurbinasit që mbeten në vendin e fundit të renditjes me pesë pikë, ndërsa nga ana tjetër, shkodranët shkojnë në tre ndeshje pa fitore dhe mbeten në vendin e pestë me 11 pikë.

Trajneri i Lacit, Vukicevic, ka folur pas ndeshjes, duke thene se i kishin te gjitha per te arritur nje fitore kundrejt Vllaznise.

“I kemi bërë të gjitha për të fituar me Vllazninë. Kemi sulmuar shumë, por nuk ishim të përqendruar në momentin e fundit, për pasimin e fundit.

Jam shumë i kënaqur për mënyrën sesi ekipi ka luajtur dhe ka luftuar. Lojtarët që erdhën nga stoli sot nuk e bën detyrën e tyre mirë. Kemi tentuar shumë herë për të shënuar edhe nga jashtë zone, por në fund kemi marrë vetëm një pikë.

Presidenti e di që e ardhmja ime është këtu, tani presim vetëm rezultatet. Do të doja që të rrija këtu për shumë vite, por nëse rezultatet nuk vijnë, e di shumë mirë sesi shkon kjo punë”.