Skuadra shkodrane ka nisur sot pasdite përgatitjet për ndeshjen e së shtunës kundër Kamzës dhe këtë herë ajo ka qenë më e plotë se herët e tjera.

I vetmi lojtar që mungon sërish është mesfushori Bardulla i cili ka një dëmtim dhe është lënë dy javë pushim nga mjekët.

Ndërkohë edhe dy futbollistë të tjerë kanë zhvilluar stërvitje individuale. Bëhet fjalë për mbrojtësin Antonio Marku dhe mesfushorin Arsen Hajdari.

I pari ka dy javë që ka qëndruar pushim si rrjedhojë e një dëmtim në Kavajë në ndeshjen me ekipin B, ndërsa i dyti ka ndjerë shqetësime në pragndeshjen me Flamurtarin dhe prandaj nuk ka qenë i përfshirë në 18-she.

Si Marku ashtu edhe Hajdari kanë zhvilluar vrapime të lehta ditën e sotme dhe pritet që gradualisht në ditët e ardhshme t’i bashkohen grupit tjetër të futbollistëve për të qenë të gatshëm nën urdhërat e trajnerit.
© shkodrasport.com