Vllaznia do ketë një transfertë delikate nesër në orën 13:45. Shkodranët që sot nisen drejt Durrësit për tu përgatitur për ndeshjen kundër Kastriotit në Kamëz. Një ndeshje aspak e lehtë edhe në letër ku në dy ndeshjet e fundit krutanët kanë marrë 4 pikë. E ndërsa Vllaznia është ndalur dy herë në barazime përballë Tiranës dhe Egnatias.

Por për kuqeblutë e drejtuar nga Thomas Brdariç do kërkojnë me patjetër fitoren. E megjithatë nuk do jetë aspak e lehtë. Madje Kastrioti nëqoftëse po ka një sukses si ekip, ka edhe disa elementë që po spikasin me lojën e tyre individuale. Njëri prej tyre është Edon Hasani. Mesfushori shkodran që la pas një dëmtim të rëndë duket se është kthyer në formën e tij.

Ish-futbollisti i Vllaznisë ka qenë një nga më të mirët në këtë vit 2022 për Kastriotin. E ndoshta edhe një nga më të mirët e kampionatit. Një tjetër që po mahnit me lojën dhe golat e tij është edhe Bedri Greca. Sulmuesi 31-vjeçar është një “motor” në krahët e sulmit dhe një rrezik konstant për mbrotjet kundërshtare.

Të dy futbollistët kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme në kampionatin tonë. Ku në të shkuarën kanë qenë së bashku edhe pjesë e Tiranës. Patjetër që tek Vllaznia i njohin mirë cilësitë e dyshes, e padyshim që do merren masat e duhura që këta elementë të kenë sa më pak mundësi përpara portës shkodrane.
Endri ÇINARI