Shqipëria bën një ndeshje perfekte ndaj San Marinos duke fituar me rezultatin e thellë 5-0. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja nuk fal dhe dominon me raste e gola ndaj një kundërshtari të lehtë. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin minimal 1-0, falë golit të shënuar nga Manaj. Në pjesën e dytë kuqezinjtë ndryshojnë “marsh” dhe shënojnë edhe 4 gola të tjerë.

Fillimisht ishte Laçi që shënoi golin e dytë, ndërsa më pas Broja, Hysaj dhe Uzuni kompletuan “goleandë”. Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë me 12 pikë, ndërsa San Marino ngelet 0 pikë. Në fund të ndeshjes për “Supersport”, foli edhe Armando Broja I cili u shpreh:

Gol dhe asist? “E rëndësishme është si luan skuadra. Kemi bërë shumë gola dhe kemi marrë 3 pikë. E rëndësishme është të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e tjera. Duhet të shënonim sa më shumë gola sot, kemi shënuar 5 gola e kishim mundësi për më shumë. Kemi bërë një ndeshje pozitive dhe përpara tifozëve tanë e kjo është gjë e mirë”.

Si e ndjen veten nga stoli te dy golat? “Sa minuta më jep trajneri mundohem t’I shfrytëzoj. Dy ndeshje dy gola është mirë për mua dhe do të vazhdoj kështu. Sulmuesi duhet të japë edhe asiste dhe jo vetëm të shënojë gola. Është gjë e bukur kur jep asist”./newsport/