Java e shtatë e kampionatit të moshave të Kategorisë së Parë ka prodhuar për Akademinë Shkodra me dy grupmoshat e saj, U-19 dhe U-17 dy humbje në përballjet e tyre me Shkëndijën e Tiranës në transfertë.

Kështu, fillimisht në fushë do të zbrisnin 17-vjeçarët e të dy ekipeve, me Shkodra U-17 që pësoi një humbje të thellë me rezultatin 6-1. Kjo ndeshje, e luajtur paraditën e sotme në Kamëz, ka folur më shumë për skuadrën vendase, e cila shënoi gjashtë gola në pjesën e dytë të gjithë njëri pas tjetrit.

Në këtë 45-minutësh, Shkodra U-17 u fut në lojë vetëm përkohësisht me golin e shënuar nga Prendi me penallti në minutën e 56-të, që dërgoi rezultatin në 2-1, por vetëm kaq. Në minutat në vazhdim, Shkëndija e Tiranës shënoi edhe katër gola të tjerë njëri pas tjetrit, njërin prej të cilëve me anë të futbollistit shkodran Rijad Fangaj, duke e fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 6-1.

Me këtë humbje, Shkodra U-17 mbetet në vendin e katërt në tabelën e renditjes, në kuotën e 13-pikëve në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani.

Ndërkohë, menjëherë pas U-17, në fushë do të ishin edhe ekipet e 19-vjeçarëve të Shkëndijës së Tiranës dhe Shkodrës. Dëshira për të marrë qoftë edhe një pikë, nuk i ka mjaftuar ekipit të Shkodra U-19.

Vendasit e Shkëndijës kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0, duke treguar se janë më lart në çdo drejtim se shkodranët. Këta të fundit shfaqën dëshirë dhe krijuan disa raste, por në pjesën e dytë pas tre golave të vendasve, gjithçka u mbyll.

Poashtu, duhet thënë se në 10-minutat e fundit, Shkodra U-19 luajti me 10-futbollistë në fushën e lojës pas daljes me karton të kuq të Zaganjorit. Kështu, Shkëndija e Tiranës siguroi një fitore të thellë me rezultatin 4-0.

Ndërkohë, trajneri i Shkodra U-19, Ersi Çaku, pas ndeshjes në një komunikim me “Shkodra Sport”, është shfaqur shumë i mërzitur për humbjen. Tashmë, në vazhdim për këtë ekip duhet shumë herë më tepër punë dhe përkushtim për t’ia dalë në synimet e tyre.

Pas kësaj humbjeje, Shkodra U-19 renditet në vendin e 10-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm tre pikëve në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani. /Maringlen ZHIVANI/

U-17: Shkëndija e Tiranës-Shkodra 6-1

Goli për Shkodra U-17: Prendi (pen) 56’

Formacioni i Shkodra U-17 (4-4-2): Shkambaj, Meti, Mehja, Medha, Ymeraj, Prendi, Bizi, Rrahi, Taramani, Danaj, Gëlqerja (u aktivizuan: Dibra, Skuqaj, Gjylbegaj, Lumaj) Tr: Semir Gogaj

U-19: Shkëndija e Tiranës-Shkodra 4-0

Formacioni i Shkodra U-19 (4-4-2): Vitaj, Nikaj, Gjolaj, Curraj, Rroshullaku, Limani, Luani, Hyseni, Zaganjori, Agraja, Hoxhaj (u aktivizuan: Rroku, Ujka, Hysaj) Tr: Ersi Çaku