Peshëngritja shqiptare nuk po gjen qetësi. Pas përplasjes midis Erkand Qerimajt dhe trajnerit Zef Kovaçi, tani një tjetër shqetësim ka mbërthyer shtangën dhe komunitetin e saj. Edhe pse ligji detyron institucionet të operojnë brenda afateve për dhënien e shpërblimit për sportistët medalistë ndërkombëtarë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me një prej sportistëve më premtues të Shqipërisë, 17-vjeçarin Ertjan Kofsha, i cili është vend i tretë në botë për moshën deri në 20 vjeç, kampion i Europës për këtë moshë dhe njëherësh kampion i Europës për të rinj.

Trajneri Leonard Toska ka kontaktuar institucionet dhe atje si duket nuk e kanë pritur mirë këmbënguljen e teknikut që të respektohet ligji. Është bërë një përpjekje që shpërblimi të kalojë por ka pasur një problem, ai ka kaluar në emër të një trajneri tjetër. Kjo ka shkaktuar një habi të madhe se si institucionet të gabojnë rëndë me ngatërrimin e emrave, por ndoshta këtu ka vend për të diskutuar edhe pozicionin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.


Shpërblimi për Kampionatin Botëror në “kalendat greke”

Sportisti Ertjan Kofsha, padiskutim një nga talentet më të mëdha të shtangës, ishte pjesëmarrës në Kampionatin Botëror të moshës U-20 në Kretë, më 2 maj 2022. Po bëhen gati 200 ditë që e ka bërë garën dhe ende nuk e ka marrë shpërblimin. Ligji është i qartë. Në momentin kur ka ardhur përgjigja e antidopingut, sportisti shpërblehet sipas ligjit, por kanë kaluar më shumë se 6 muaj e ai nuk i ka marrë ende paratë. As ai e as trajneri i tij Leonard Toska.

Në fakt, referuar një shkrese të ministrisë, shuma prej 1.254 mln lekë të rinj për sportistin dhe 501600 lekë të rinj për trajnerin kishin kaluar në thesar, por në shkresë ka një gabim trashanik, pasi në vend të trajnerit Leonard Toska, është vënë emri i trajnerit Sokol Bishanaku. Me pak fjalë, ministrja Evis Kushi e ka firmosur shkresën, por dikush ka çuar “gabimisht” emrin e një trajneri tjetër. Kjo “lojë” nuk është e re në rastet e shpërblimeve të sportistëve, kjo “lojë” regjistron një skandal të përsëritur në sportin shqiptar, një fenomen që vë në diskutim seriozitetin e një dikasteri qeveritar.


Shpërblimi i gushtit, as zihet me gojë

Ertjan Kofsha ka dalë kampion i Europës në Varshavë më 13 gusht, duke fituar tri medalje ari. Ai ka garuar në moshën 17-vjeçare, por ligji e njeh si fitues në kategorinë e të rinjve, për pasojë ai shpërblehet. Në bazë të ligjit ai ka për të marrë një shumë 38 mln lekë të vjetër, e trajneri i tij një shumë afro 16 mln lekë. Për shpërblimin e gushtit deri tani askush nuk “b’zan”, me siguri që sportistin do ta kapë viti 2023 për ta tërhequr shpërblimin e gushtit.

Ertjan Kofsha ka garuar edhe në Europianin e të rinjve që u zhvillua në Shqipëri në tetor, por ky shpërblim ka gjasë të kapë verën e ardhshme. Thënë ndryshe, sportisti e trajneri derdhin djersë, përfaqësojnë ngjyrat e flamurit në garat ndërkombëtare, ia dalin të fitojnë medalje e këto medalje shpërblehen me ligj, por mbi ligjin në Shqipëri është “Maliqi”, i cili një herë ngatërron emrin e trajnerit, një herë ngatërron vulën, një herë destinacionin e kështu zvarritet çështja deri në atë pikë sa sportisti (me të drejtë) mund të braktisë Shqipërinë për një vend tjetër.