Real Madridi po shqyrton një lëvizje historike në modelin e vet të pronësisë, teksa dy emra të mëdhenj të kapitalit – Sixth Street dhe Bernard Arnault – janë të gatshëm të blejnë rreth 10 për qind të klubit për afërsisht 1 miliard euro.
Sipas “Vazpopuli”, të dy grupet po e ndjekin me kujdes reagimin, në një moment kur Florentino Perez po përshpejton planin për të hapur klubin ndaj investimeve të jashtme për herë të parë. Vlerësimi aktual i Real Madridit raportohet të ketë kapërcyer shifrën 10 miliardë euro.
Një mbledhje e jashtëzakonshme e anëtarëve pritet të mbahet në mesin e dhjetorit, ku do të diskutohet modeli i ri i pronësisë. Projekti synon të ndjekë strukturat gjermane: futjen e një aksioneri minor me të drejta ekonomike në afat të mesëm, por pa asnjë fuqi qeverisëse. Strategjia ka për qëllim uljen e rezistencës së socios-ve përpara një referendumi të planifikuar në vitin 2026.
Sixth Street tashmë bashkëpunon me Real Madridin për operacionet komerciale të “Santiago Bernabeut”, ndërsa LVMH e Bernard Arnault u bë së fundi furnizues zyrtar i klubit. Për të dy investitorët, blerja e një pakete të vogël aksionesh shihet si mënyrë me rrezik të ulët për të forcuar lidhjet me një prej institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror.
Raportohet se, nëse projekti miratohet, Real Madridi do të hapë një epokë të re financiare, duke ruajtur kontrollin sportiv dhe institucional, por duke siguruar burime shtesë për rritje dhe modernizim./Telegrafi/







