Andrija Filipoviç kur firmosi për Partizanin në verën e vitit të shkuar, u bë lojtari i katërt me vlerën më të lartë të kartonit që bëhet pjesë e “demave”, 500 mijë euro. Erdhi si një nga afrimet më të mëdha, por nuk luajti shumë dhe nuk arriti asnjëherë në nivelet e kërkuara, derisa u largua në janar. Më pas ai firmosi me Atiaru në Kazakistan, ku ka shënuar plot 15 gola dhe ka dhuruar 3 asiste në 29 ndeshje. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Filipoviç zbardh gjithë pakënaqësitë e tij, veçanërisht ndaj ish-trajnerit Ilir Daja, dhe zbulon se Partizani i ka ende para borxh.

Andrija, si po ju shkon eksperienca në Kazakistan?

Aventura ime në Kazakistan po shkon shumë mirë. Personalisht jam i lumtur dhe krenar për veten, sepse po tregoj cilësitë e mia dhe po ndihmoj skuadrën dhe klubin me gola e asiste. Por asgjë nuk arrihet vetëm, çdo gjë ka ardhur me ndihmën e shokëve të skuadrës, trajnerit dhe të gjithë njerëzve që punojnë në klub. Veçanërisht drejtorët Alisher dhe Ernis, që më dhanë shansin dhe besuan tek unë. Unë ua kam kthyer për mirë dhe ata janë të lumtur me paraqitjet e mia.

Ishit pjesë e Partizanit për disa muaj, por nuk arritët maksimumin tuaj. Çfarë ndodhi?

Unë erdha te Partizani pas një dëmtimi të rëndë dhe nuk isha në formën time optimale. U stërvita fort për t’u kthyer në kushtet e duhura dhe ia dola por nuk m’u dha mundësia të tregoj veten. I vetmi person që u mundua të më mbante te Partizani, ishte drejtori Olsi Rama. Mund të them se i jam falënderues atij, sepse më mësoi shumë.

Si erdhi divorci? Ju kërkoi klubi të largoheshit?

Jo, nuk ma kërkoi klubi. Drejtori Rama donte që unë të qëndroja, por pasi fola me të dashurën time, familjen dhe agjentin, vendosa të kërkoj largimin. Arsyeja ishte se në 4-5 ndeshjet e fundit trajneri më nxori jashtë ekipit. Shihja ndeshjet në tribunë dhe nuk stërvitsha me skuadrën. Ndieja se ishte koha të largohesha dhe të provoja një eksperiencë të re, sepse mendoj se nuk e meritoja atë trajtim.

A jua kanë paguar të gjitha detyrimet e kontratës?

Ata më paguan një pjesë dhe kanë ende për të më dhënë, por sinqerisht më paguajnë apo jo, jam i lumtur që e lashë Partizanin, sepse gjeta fatin tim në Kazakistan.