Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola njihet si prej atyre që kërkojnë të arrijnë perfeksionin. Spanjolli është i fiksuar pas detajeve dhe futbollistët që punojnë me 52-vjeçarin janë dëshmitarë të ideve të tij unike.

Së fundmi, ish-futbollisti francez, Gael Clichy zbulon edhe një prej rregullave që zbaton Pep Guardiola dhe që nuk ia fal askujt. Clichy që u stërvit nën urdhrat e Guardiolës te City në vitin 2016, theksoi se spanjolli nuk fal askënd që peshon dy kilogramë më shumë se pesha e tij maksimale.

“Guardiola kishte një rregull që e zbatonte me përpikmëri. Nëse një lojtar peshonte dy kilogramë më shumë se pesha e tij maksimale, atëherë ai futbollist nuk merrte pjesë në stërvitje. Në fakt, këtë e thonë të gjithë trajnerët, por ka diçka; nëse futbollisti në fjalë është i rëndësishëm atëherë ka trajnerë edhe që e “mbyllin njërin sy”.

Kjo nuk ndodhte kurrë me Guardiolën, te City kam parë futbollistë të rëndësishëm që kanë qëndruar për dy javë pa stërvitje vetëm prej këtij rregulli. Nëse ishe dy kilogram më tepër pas një përgatitje intensive dhe një diete ushqimore, atëherë Guardiola nuk të pranonte në stërvitje, kaq e thjeshtë”, u shpreh Clichy.