Mbrojtësi Mevlan Adili nuk do të jetë më pjesë e skaudrës ruse SKA Khabarovsk, teksa është “divorcuar” së fundmi. 28-vjeçari nuk arriti të linte gjurmë në ligën e dytë, duke u aktivizuar vetëm 7 takime.

Gjasat janë të mëdha që pas këtij largimi, Adili të rikthehet në Superiore. Sipas “Supersport”, për shërbimet e futbollistit nga Shkupi, kanë shfaqur interes dy ndër klubet më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Vllazninë dhe Tiranën.

Kuqeblutë kërkojnë të rikthejnë futbollistin që arriti të shndërrohej në një lider te shkodranët sezonin e shkuar. Problemet në mbrojtje të shfaqur këtë edicion, kanë bërë që drejtuesit e Vllaznisë të hedhin sytë nga Adili.

Krahas shkodranëve, bëhet me dije se Adili është kontaktuar edhe nga Tirana, që shpesh ka eksperimentuar me Albano Aleksin më qendër të mbrojtjes, ndaj një futbollist me eksperiencë si ai do t’u bënte jo pak punë. Mbetet për t’u parë cila do të jetë e ardhmja e Adilit në ditët në vijim.