Kabir Tahiraga dhe Olsi Shema nuk janë më futbollistë të skuadrës së Orikut. Pas disa sezonesh si pjesë e këtij ekipi, mbrojtësit shkodranë janë larguar nga klubi së fundmi, duke vendosur të mos jenë pjesë e skuadrës bregdetare për sezonin tjetër.

Tahiraga dhe Shema kanë tërhequr letrat dhe tashmë janë futbollistë të lirë në treg. Gjasat janë që karriera e tyre të vijojë në një tjetër skuadër të Kategorisë së Parë, por kjo do të mësohet në vijim.

Në kampionatin e fundit, Tahiraga u aktivizua në 20-ndeshje dhe shënoi edhe një gol, ndërsa Shema u aktivizua në 15-ndeshje pa arritur dot të shënojë asnjë gol. Tashmë, mbetet për t’u parë se ku do ta vijojnë karrierën e tyre mbrojtësit shkodranë.

Kujtojmë këtu se, të dy mbrojtësit e talentuar shkodranë janë prodhime të Akademisë Vllaznia. Më parë, Tahiraga përveç Orikut, ka luajtur edhe me Luftëtarin e Gjirokastrës, ndërsa Shema ka luajtur me Vllazninë U-21, përpara se të ishte pjesë e klubit bregdetar.
Maringlen ZHIVANI