Roko Vata ka debutuar këtë javë me fanellën e përfaqësueses U15 të Irlandës, duke lënë shenjë që në pjesëmarrjet e para me skuadrën irlandeze.

Pasi luajti rol zëvendësuesi me ekipin në miqësoren e dy ditëve më parë ndaj Polonisë, në suksesin 2-1, këtë ndeshjen e dytë ai ka qenë titullar dhe ka arritur të tundë rrjetën në një takim që u mbyll po 2-1.

Në fundin e pjesës së parë, Irlanda shpërdoroi një penallti, por Vata u tregua i aftë të ndiqte aksionin dhe të shtynte në rrjetë topin e kthyer nga portieri polak.

Më pas, në pjesën e dytë të sfidës, ishte një tjetër shkodran, Kevin Zefi, ai që shënoi golin e rezultatit 2-1 që vulosi fatin e kësaj ndeshje. Zefi ishte autor i një goli edhe në ndeshjen e parë të luajtur të martën mes dy përfaqësueseve dhe shihet si një sulmues me shumë perspektivë. Ndërkaq, në radhët e Irlandës U15 ishte grumbulluar edhe një tjetër shkodran, Justin Ferizaj.

Nëse Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka kontaktuar ende me Rudi Vatën për të diskutuar rreth të birit, irlandezët duket se po bëjnë çdo gjë të mundshme për ta bindur të mbetet pjesë e tyre dhe i kanë dorëzuar menjëherë edhe fanellën me numrin 10. /vipsport/