Paulo Dybala nuk ka kursyer elozhet për dyshen rivalizuese, Lionel Messi-n dhe Cristiano Ronaldo-n.

Tek Juventusi Dybala luan përkrah CR7-ës, ndërsa vitet e fundit Paulo së bashku me Messin janë pjesë e ekipit kombëtar të Argjentinës.

Duke i pasur në skuadër të dy, 26-vjeçari thotë se Leo dhe Cristiano kanë shumë ngjashmëri.

“Jashtë fushës, ata janë dy persona shumë të qetë, brenda saj, Messi dhe Ronaldo janë bisha të vërteta”, tha Dybala.

“Kam dëgjuar se Luis Scola (basketbollisti argjentinas) ka thënë se Leo dhe Cristiano futen në fushë të bindur se janë më të mirët dhe kjo është arsyeja pse janë më të mirët. Jam i sigurt dhe kështu është”, shtoi ai.

Kujtojmë që Messi dhe Ronaldo vlerësohen si dy futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve dhe së bashku kanë fituar 10 “Topa të Artë”.